Futbolli Buzë Drinit ka mbyllur edicionin e tij të pestë. Një organizim dhe një event për notën 10 nga gazetari i mirënjohur, Dëfrim Methasani, që brenda tij mban një mesazh shumë të fortë.
“Sado larg të shkoni, ktheni sytë nga e keni nisur”! Dhe kështu Dëfrimi, një njeri shembullor përpara se të jetë një gazetar i mirë, nuk e harron lehtë Peshkopinë e tij.
Vendin ku ka lindur, ku ka punuar si mësues dhe thonë se fytyra i reflekton origjinën. Një magji e vërtetë natyrore, një ndërthurje e bukur e relievit ku dora e Zotit ka krijuar një vepër arti, por që do të ishte tokë e pashkelur, e hedhur diku tej.
Por falë këtij eventi, siç edhe Methasani thotë, të paktën për një ditë, ky vend merr vëmendjen e shqiptarëve. Gazetari ka organizuar një turne për futbollin amator dhe krahë tij janë marrë figura legjendare të futbollit shqiptar si Perlat Musta, Agustin Kola, Vasil Ruci, Kreshnik Cipi.
Ata kanë dhënë medaljet e tyre për ekipin fitues dhe nga ana tjetër thjeshtë janë shtangur nga ajo mrekulli natyrore, që rrallëherë shihet. Ndërkohë për Methasanin, ky event është bërë pjesë e shtëpisë së tij, edhe nëse në aspektin ekonomik shpenzimet mund të jenë të mëdha, duhet bërë për hir të origjinës dhe të kaluarës, kjo tokë meriton ende kamerat të jenë vendosur mbi të.
“Futbolli bëhet në stadiume, në qytete të mëdha, por ne promovojmë këtë vend, që meriton të promovohet, të respektohet dhe për të bashkuar këta njerëz përmes futbollit.
Qëllimi është që të promovojmë vendin ku jemi lindur, ku jemi rritur dhe ta mbrojmë atë. A ka kënaqësi më të bukur, që ky vend në një ditë të vitit, të bëhet kryeqyteti i shqiptarëve për event të tillë futbolli? Sot janë legjenda të futbollit shqiptar dhe të rinjtë mund t’i takojnë, të bëjnë fotografi me ta”, tha Methasani në Mega Sport në A2 CNN. /Sport Ekspres/