“Kam dëgjuar shumë abuzime”, Armand Duka: Maran paguhet më shumë se Silvinjo

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, ku ndau mendimet e tij mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kombëtares shqiptare, emërimin e trajnerit të ri Rolando Maran, zhvillimin e futbollit shqiptar dhe projektet madhore të FSHF-së në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë të gjatë dhe interesante me moderatorët Salsano Rrapi dhe Elona Duro, kreu i FSHF-së foli për mbylljen e ciklit me Silvinjon dhe arsyet që çuan në nisjen e një epoke të re me trajnerin italian Rolando Maran në stolin kuqezi. Presidenti Duka theksoi se vendimi ishte një konsensus mes palëve, ndërsa u shpreh i bindur se Kombëtarja shqiptare do të luajë një futboll më agresiv dhe më sulmues nën drejtimin e teknikut të ri.

Gjatë intervistës, Presidenti Duka komentoi edhe objektivat e Kombëtares në UEFA Nations League dhe në rrugëtimin drejt EURO 2028, foli për talentet e reja të futbollit shqiptar, nivelin e kampionatit “Abissnet Superiore”, investimet në infrastrukturë, organizimin e Kampionatit Europian U-21 2027 dhe rolin e tij në UEFA si zv/president i qeverisë europiane të futbollit.

Në bisedë nuk munguan as pyetjet mbi futbollin shqiptar, Kombëtaren, lojtarët kuqezi dhe sfidat e ardhshme të FSHF-së.

– President, ndryshimi i trajnerit kombëtares ka qenë 1 nga temat më të diskutuara ditëve të fundit. Ka qenë ish-trajneri i kombëtares, Silvinjo, që kërkoi të largohej apo vendimi është marrë nga ju, sepse mendon se cikli ishte mbyllur dhe kombëtarja kishte nevojë për një frymë të re?

– Në fakt, dhe le të themi në fund më mbetet mua që ta vej vulën, por ka qenë një lloj konsensusi që kjo marrëdhënie sportive duhet të ndërpritej për të pasur një ndryshim.

E kam thënë dhe në një takim, që ekipet kombëtare ndryshojnë, kanë specifika, nuk janë njëlloj si klubet. Sepse në klube, duke qenë që marrëdhënia e trajnerit me futbollistin padyshim që me kalimin e kohës do të konsumohet, në klube e ke shumë të thjeshtë. Shet ato 3-4 futbollistë që mund të jetë konsumuar marrëdhënia me trajnerin dhe merr disa të tjerë.

Po t’i vesh re në të gjithë eksperiencat sportive në historinë e futbollit, trajnerët e klubeve rezistojnë më shumë sesa ato të kombëtareve, ndërsa në kombëtare për këtë arsye dhe thuhet me sloganin që cikli u mbyll dhe cikli i ri filloi, e vetmja gjë që mund të ndërrosh është trajneri dhe të fillosh nga e para për të pasur një motivim akoma më shumë.

Domethënë këtë lloj këtë bisedë që po bëj me ju e kam bërë dhe me Silvinjon dhe ky ka qenë konsensus që kemi gjetur: po, duhet të fillojmë një cikël të ri.

– E di çfarë më bëri përshtypje? Mu duk sikur jo si një plan i gjatë, i mirëmenduar, mbase thjesht paragjykim i imi, po mu duk sikur sot për nesër ndodhi kjo gjë…

– Jo, kjo gjë është menduar që më parë, domethënë me Silvinjon është biseduar që më parë, para se të përfundonte, por gjithsesi nuk mund të bënim asnjë lloj bisede publike para play-off-it.

– E kush ishte më pak entuziast për ndeshjen me Poloninë, atë play-off-in e Botërorit? Domethënë ti ishe më pak entuziast apo Silvinjo?

– Për ta përgatitur ndeshjen duhet ta besosh vetë dhe unë padyshim që kam bindur veten që ne do ta fitonim sfidën në Poloni. Sepse nëse nuk e beson vetë, është shumë e vështirë qe ti ta transmetosh tek të tjerët dhe Silvinjo ka bërë të njëjtën gjë. Të gjithë kishim bindjen që do ta fitonim, e përgatitëm shumë mirë emocionalisht, pavarësisht se jo gjithmonë ajo që përgatit ose dëshiron do të realizohet në fund.

-Është një zgjedhje me zemër apo është një zgjedhje me strategji emri i trajnerit të ri të kombëtares?

– Me zemër jo, me emocion jo, po me një lloj le të themi mendimi se ku jemi ne, çfarë kemi nevojë dhe çfarë mund të bëjmë për të ardhmen.

Trajneri që ne e kemi emëruar është një trajner me eksperiencë, me goxha eksperiencë. Kam dëgjuar komente nga më të ndryshme që ne jemi nivel i lartë, trajneri është nivel i ulët, jo Serie B jo Serie C. Duhet të jemi realistë, trajneri ka qenë rreth 12 vjet në Serie A dhe unë besoj që Seria A e atyre kohëve madje ka qenë më e mirë sesa Serie A tani, por edhe ekipet e Serisë B që ka drejtuar janë klube serioze dhe klube të mira.

Unë kam parë dhe ndeshjet e tij, prononcimet e tij, mentalitetin e tij dhe unë jam shumë i bindur që, rezultati jo gjithmonë varet nga loja. Futbolli nuk është njëlloj si disa sporte tjera, ku ai që luan më mirë fiton, në futboll fiton edhe ai që luan më keq. Por për një gjë jam shumë i sigurt dhe i bindur, që me këtë trajner Shqipëria do të luajë më mirë.

– Këtë e kisha dhe unë pyetje, çfarë të bindi që ta zgjidhje këtë trajner, gjëja e parë që të bindi?

– Në ekipet që ka drejtuar Maran kanë qenë ekipe agresive, sulmuese dhe jo ekipet sipas mentalitetit që ne kemi për futbollin e dikurshëm italian, katenaço.

Ekipi jonë sot është në një nivel që mund të luajë, mund të sulmojë, mund të bëjë lojë dhe jo një ekip që vetëm duhet të mbrohet dhe të kundërsulmojë. Me këtë trajner besoj se do ta bëjmë më mirë këtë gjë.

– Jam kurioz, kur zgjidhet një trajner, duhet për Shqipërinë, pra duhet një që motivon fort apo trajner që thotë unë do të gjej lojtarët më të mirë apo thjeshtë motivimi duhet të jetë më i fortë sepse lojtarët janë?

– Tani, thashë që ekipet kombëtare kanë specifika. Nuk është e njëjta gjë, nëse ka një eksperiencë është akoma më mirë.

Në këndvështrimin tim thuhet shpesh, që trajnerët nëse do ti ndanim në kategori, do t’i ndanim në ato trajnerë që vërtet në Itali thonë që e ka nisur nga poshtë, nga fillimi, ka edhe nga ata që ka qenë yje si futbollistë dhe e nisin nga lart. Të dy profilet janë pranueshëm, të dy mund të bëjnë sukses, por ky që ne kemi emëruar tani është nga kjo kategori që kanë ardhur nga poshtë, e ka nisur nga baza. Nëse do ta krahasojmë me natyrën e Xhani De Biazit, trajnerë që e kanë nisur nga poshtë dhe kanë bërë karrierë në ngjitje.

– Objektivi i parë që i keni vendosur trajnerit Maran?

– I kam bërë edhe publike, ia kam thënë që ditën e parë trajnerit, që sot ne jemi në kushtet që në UEFA Nations League ne duhet të jemi në vend të parë dhe në të ngjitemi në Ligën B si edhe të kualifikohemi për në finalet e Kampionatin Europian.

– Keni ju agjent trajnerësh apo ti i gjen vetë trajnerët? Pra si funksionon, ka një grup pune në FSHF që punon për të gjetur trajner?

– Në momentet që ti kërkon të ndërrosh trajner, pothuajse të vijnë vetë propozimet dhe nga ato propozime fillon e përzgjedh, bën një short-list me të cilët nis takimet dhe diskutimet. Kështu që një nga ato ka qenë edhe trajneri që ne e kemi emëruar.

– Ti e njihje më përpara Maranin?

– E kam parë në televizor, por nuk e kisha takuar asnjëherë. E kam takuar dy herë para emërimit, në një lloj mënyre na ka bindur edhe eksperienca e tij.

– Unë kur e pashë në fakt mu duk shumë autoritar si trajner …

– Shkolla italiane e futbollit, trajnerët italianë janë të disiplinuar në përgjithësi brenda dhe jashtë fushe. Në një lloj mënyre kam eksperiencë dhe me trajnerë gjermanë, kroatë dhe italianë, por italianët unë i klasifikoj tek ato që kanë më shumë disiplinë se sa gjermanët, pavarësisht se ne kemi përshtypjen që gjermanët janë të disiplinuar, por në futboll mendoj se italianët janë më të disiplinuar.

– Kemi kuriozitet për trajnerin e ri. Duket sikur gjithë pyetjet i kemi të përqendruar aty…

– Kam dëgjuar këto ditë lloj-lloj abuzimesh, jo Federata mori këtë, jo uli nivelin, jo rriti nivelin, jo po rriti buxhetin. Faktikisht nuk kam preferuar ndonjëherë të flas për marrëdhëniet financiare me trajnerët apo stafin, por paga e Maran është e njëjtë me atë të Silvinjons, mbase ndonjë përqind më shumë. Janë në të njëjta nivele.