Haland i jep fitoren e madhe dhe kualifikimin Norvegjisë, ia dalin kundër Bregut të Fildishtë në Botëror

Norvegjia ka siguruar një vend në fazën e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Bregun e Fildishtë në një sfidë të luftuar deri në sekondat e fundit. Takimi, i zhvilluar në Dallas Stadium, dhuroi emocione të shumta dhe ritëm të lartë, me të dyja skuadrat që krijuan raste të mira për shënim.

Norvegjezët hynë në fushë si favoritë, duke u mbështetur te cilësia e lojtarëve si Erling Haaland, Martin Ødegaard dhe Alexander Sørloth. Megjithatë, përfaqësuesja afrikane tregoi karakter dhe organizim, duke e bërë ndeshjen shumë të vështirë për kundërshtarin. Pas një loje të balancuar, Norvegjia arriti të kalojë në avantazh, por reagimi i Bregut të Fildishtë nuk vonoi.

Amad Diallo, i futur nga stoli, solli energji të re në repartin ofensiv dhe realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat, duke rikthyer shpresat e skuadrës së tij. Kur dukej se sfida po shkonte drejt kohës shtesë, Erling Haaland u shfaq vendimtar, duke shënuar golin e fitores dhe duke vulosur kualifikimin e Norvegjisë.

Në minutat shtesë, Bregu i Fildishtë ushtroi presion të madh në kërkim të barazimit, ndërsa Diallo ishte shumë pranë golit me një goditje dënimi, por portieri Ørjan Nyland realizoi një pritje vendimtare që ruajti avantazhin e skuadrës së tij.

Me këtë sukses, Norvegjia vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës me objektiva të mëdha, ndërsa Bregu i Fildishtë largohet nga turneu me kokën lart, pasi zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe luftoi deri në fund kundër një rivali shumë cilësor. /Sport Ekspres/