Çfarë çmendurie në Atlanta. Argjentina ka dhuruar një përmbysje spektakolare përballë Egjiptit. Afrikanët befasuan kampionët e botës me golin e shënuar nga Ibrahimi në minutën e 15. Vetëm 6 minuta më vonë Lionel Mesi humbi duelin me portierin egjiptian nga pika e bardhë e penalltisë. Argjentinasit u hodhën përpara në sulm, por me një kundërshar të rreshtuar pas e kishin të pamundur të rrezikonin portën.
Në minutën e 67 Ziko dyfishoi rezultatin në favor të Egjiptit. Në fytyrat e “faraonëve” dallohej qartë shpresa e madhe e kualifikimit, ndërsa në kampin amerikano-jugor pllakosi trishtimi. Me mënyrën se si po shkonte loja, Argjentina dukej thuajse e eleminuar nga Kupa e Botës. Por mjaftoi një fraksion loje për të ndryshuar gjithçka. Një asisit fantastik i Mesit në minutën e 79 u shndërrua në gol nga Romero. Kaq mjaftoi që argjentinasit të fitonin vetëbesimin që dukshëm i mungonte gjatë lojës. Vrulli i kampionëve të botës ishte i pandalshëm për egjiptin, teksa Mesi barazoi shifrat në minutën e 84-t dhe Fernandezi përmbysi shifrat në 3-2 në minutën e 93-të të takimit.
Një fitore karakteri për Argjentinën, që i dëshmoi të gjithëve se nuk dorëzohet në asnjë moment, as atëherë kur humbja duket më afër se kurrë. Pas përfundimit të lojës Lionel Mesi nuk ka mundur t’i mbante dot emocionet e tij. Sulmuesi 39-vjeçar nisi të qante si fëmijë, duke treguar se sa shumë e donte këtë kualifikim me Kombëtaren e tij./Sport Ekspres/