Real Madridi kërkon që Barcelona të humbasë titujt, pret nga UEFA që t’i përjashtojë nga Europa

Barcelona mund të përballet me një nga goditjet më të rënda në historinë e saj moderne, pasi mediat spanjolle raportojnë se Real Madridi po përgatit një ofensivë ligjore në lidhje me çështjen e njohur si “Negreira”. Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit madrilen synojnë t’i kërkojnë UEFA-s që të ndërmarrë masa të ashpra ndaj rivalit të përjetshëm, duke përfshirë edhe heqjen e trofeve të fituar gjatë periudhës që po hetohet.

Bëhet fjalë për pagesat që Barcelona i ka bërë ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Spanjë, Jose Maria Enriquez Negreira. Klubi katalanas ka pranuar ekzistencën e këtyre pagesave, por ka këmbëngulur se ato kanë qenë për raporte dhe analiza teknike mbi arbitrimin, duke mohuar kategorikisht çdo ndikim te gjyqtarët. Ndërkohë, hetimi për korrupsion sportiv vazhdon dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Sipas raportimeve, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, po përgatit një dosje voluminoze me dokumente dhe argumente që do t’i paraqitet UEFA-s. Objektivi është që organi qeverisës i futbollit europian të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve ndaj Barcelonës, përfshirë përjashtimin nga garat europiane dhe heqjen e titujve të fituar në periudhën e kontestuar.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë vendim zyrtar nga UEFA dhe gjithçka mbetet në fazën e pretendimeve dhe procedurave ligjore. Nëse çështja do të marrë përmasa të reja, futbolli spanjoll mund të përballet me një nga skandalet më të mëdha të dekadave të fundit, me pasoja që do të prekeshin jo vetëm Barcelona dhe Real Madridi, por edhe historinë e garave vendase dhe europiane. /Sport Ekspres/