E “masakroi” Joshua-n në raundin e parë dhe nuk hodhi asnjë grusht në të dytin, Prengën e akuzojnë se ka shitur ndeshjen

Joshua-Prenga ishte dueli i shumëpritur i mbrëmjes së djeshme në eventin e zhvilluar në Arabinë Saudite. Boksieri shqiptar i befasoi të gjithë në raundin e parë. Prenga e hodhi përtokë Joshua-n që në sekondat e para të duelit, ndërsa përgjatë raundit e rrëzoi edhe 3 herë të tjera. Sportisti shqiptar e “masakroi” britanikun, pavarësisht se ky i fundit është një nga emrat më të mëdhenj të viteve të fundit.

Por raundi i dytë shfaqi një panoramë krejtësisht tjetër. Kristian Prenga nuk lëshoi asnjë grusht të rrezikshëm drejt kundërshtarit, madje la hapësirë për t’u goditje. Joshua e shfrytëzoi këtë situatë dhe arriti ta hidhte “knock out” 35-vjeçarin. Pas duelit, ish-kampioni i botës kërkoi të sfidonte Fury-n. Pikërisht kjo ka ngritur edhe dyshime në rrjetë. Një pjesë e mirë e opinionit publik akuzon për një trukim të mundshëm.

Sipas këtyre hipotezave, Prenga shqetësoi organizatorët arabë dhe promotorin e Joshuas, të cilët i kanë kërkuar të ulte ritmin në raundin e dytë. Prenga ndaloi së sulmuari britanikun, teksa është parë që shpesh të kalonte vështrime nga stafi përpara se të binte “knock out”. Në këtë mënyrë Joshua do të siguronte një rikthim të bujshëm dhe do të mund të thërriste Fury-n në një duel. Një përplasje Joshua-Fury pritet prej kohësh dhe nëse ndodh, atëherë do të jetë një event që do të gjenerojë mjaft të ardhura për të gjitha palët e përfshira./Sport Ekspres/