Punimet për rinovimin e fushës së stadiumit “Air Albania” po avancojnë sipas planit të parashikuar, ndërsa investimi i Federatës Shqiptare të Futbollit ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare.
Ndërhyrja në impiant ka qenë rrënjësore, duke nisur nga rindërtimi i plotë i bazamentit të fushës, një proces i realizuar nga e para për të garantuar standardet më të larta teknike dhe funksionale.
Paralelisht është përfunduar edhe shtrimi i tapetit të ri hibrid, i cili do t’i ofrojë stadiumit një sipërfaqe loje moderne, të qëndrueshme dhe në përputhje me kërkesat e UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Pas përfundimit të kësaj faze, është realizuar edhe mbjellja e barit natyral, ndërsa specialistët vijojnë procesin e mirëmbajtjes dhe monitorimit të vazhdueshëm të fushës, me qëllim që ajo të arrijë parametrat optimalë për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare.
Sipas afateve të planifikuara, fusha e re e stadiumit “Air Albania” do të jetë plotësisht e gatshme për përdorim gjatë muajit shtator.
Ky investim është pjesë e strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit për modernizimin e infrastrukturës sportive në vend dhe lidhet drejtpërdrejt me përgatitjet për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, që Shqipëria do të organizojë së bashku me Serbinë.
Organizimi i këtij kompeticioni përfaqëson një moment historik për futbollin shqiptar dhe një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare. Për këtë arsye, FSHF po vijon investimet në impiantet sportive, me synimin për të garantuar standardet më të larta të organizimit dhe për të lënë një trashëgimi infrastrukturore afatgjatë për futbollin shqiptar.
Përfundimi i punimeve në “Air Albania” do t’i japë Shqipërisë një nga sipërfaqet më moderne të lojës në rajon, duke krijuar kushtet ideale për zhvillimin e ndeshjeve të ekipeve kombëtare, finaleve të UEFA EURO U-21 2027, si edhe të aktiviteteve të tjera të rëndësishme ndërkombëtare që Federata Shqiptare e Futbollit synon të sjellë në vend.