Sporti dhe kampionët shqiptarë janë të lënë tërêsisht në harresë në vendin tonë. Një shtet që sillet turpshëm, për të fituar vëmendjen e rezultateve të sportit, por pa dashur ta mbështes realisht atë.
Ashtu siç bëri dikur me pashaportat diplomatike të dhëna për lojtarët e Shqipërisë sepse kaluan në Europian dhe disa kohë më vonë, ato u hoqën, pasi cikli i interesit ishte i mbyllur.
Kështu “mbështet” Qeveria sportin në përgjithësi, ku paratë e vetme që hidhen janë për disa anonimë dhe jo për emra që kanë shkruar historinë.
Ashtu siç ndodhi edhe me Daniel Godellin që i është refuzuar grada honorifike, ku vetë Rama ia ka mohuar një gjë të tillë.
Kur nuk e meriton Daniel Godelli, që mblidhte gjithë shqiptarët para televizionit për të ndjekur garën e tij, që ishte gjithmonë pretendent për vendet e para, pavarësisht se përfaqësonte Shqipërinë, kush tjetër e meriton dreqin? Ndërkohë ishte vetë Godelli qê ka bërê një reagim të fundit në lidhje me situatën.
“I dashur Kryeministër
Meqë më keni bllokuar pas bisedës sonë të fundit, ku më thatë se nuk i meritoj gradat honorifike, po ju drejtohem me këtë mesazh.
Më dhemb fakti që 56 medaljet e mia ndërkombëtare nuk kanë pasur asnjë peshë në këtë vend, ndërkohë që ka persona që kanë marrë grada honorifike pa pasur asnjë medalje ose vetëm 2–3 medalje. Kjo nuk është thjesht zhgënjim, por një ndjenjë e thellë padrejtësie.
Nëse doni të flasim për çështjen e dopingut, dua t’ju them se unë nuk kam marrë kurrë me vetëdije substanca të ndaluara. Kam qenë sportist profesionist dhe nuk kam pasur kurrë nevojë për anabolikë për të rritur forcën. Të gjithë ata që më njohin e dinë se forca ime fizike ka qenë gjithmonë mbi mesataren; problemi im ka qenë teknika, jo mungesa e forcës.
Për cilin rast do të flasim? Për vitin 2014, kur ekipi u stërvit në Greqi me një buxhet prej 100 mijë eurosh, ndërsa unë vuajta një pezullim dyvjeçar? Apo për rastin e vitit 2023, kur gradat m’u miratuan dhe më pas rezultoi një suplement i kontaminuar? Nuk kisha mundësi financiare të vazhdoja gjyqin për të mbrojtur pafajësinë time dhe për të provuar deri në fund të vërtetën.
Më vjen keq që askush nuk pyeti kurrë për vuajtjet e mia. Asnjëherë nuk u interesuat se çfarë përjetova unë dhe familja ime. Kam sakrifikuar jetën time për Shqipërinë. Kam ngritur flamurin shqiptar në arenën botërore dhe kam bërë krenar çdo shqiptar sa herë që kam dalë në podium.
Si mund të marrë grada honorifike një bodybuilder, kur bodybuilding nuk është sport olimpik dhe as sport zyrtar, ndërsa një kampion bote në peshëngritje refuzohet? Po ashtu, sipas ligjit që vetë keni miratuar, gradat nuk u takojnë sportistëve nga Kosova që nuk kanë ngritur flamurin tonë. Me gjithë respektin për vëllezërit dhe motrat tona dardane, të cilët janë shqiptarë dhe besoj se të gjithë ndihemi krenarë për arritjet e tyre, pyetja ime ka qenë vetëm për zbatimin e ligjit. Kur ju pyeta se si ka mundësi që një sportist që ka garuar nën një flamur tjetër të përfitojë grada honorifike nga shteti shqiptar, ndërsa unë, që kam ngritur flamurin shqiptar në arenën botërore, jo, ju më thatë se kjo ishte një çështje politike. Por djersa, mundi dhe sakrificat e mia nuk kanë qenë kurrë politike. Ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë.
Unë jam Daniel Godelli, kampion bote. Nuk kam kërkuar privilegje, as favore. Kam kërkuar vetëm drejtësi, respekt dhe të njëjtin standard që është zbatuar për të tjerët.
Pavarësisht të gjitha padrejtësive që më janë bërë, unë nuk do ta braktis kurrë vendin tim. Shqipëria është shtëpia ime.
Shpresoj që një ditë drejtësia dhe merita të peshojnë më shumë se politika.
Ju përshëndes”