Mirlind Daku ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është larguar zyrtarisht nga Rubin Kazan dhe është prezantuar këtë të enjte si futbollisti më i ri i Spartakut të Moskës, një prej klubeve më të mëdha dhe më të titulluara në futbollin rus. Transferimi u konfirmua nga klubi i ri, duke i dhënë fund qëndrimit të Dakut te Rubin, ku ai spikati me paraqitjet dhe golat e tij.
Pas sezonesh shumë të suksesshme me Rubin Kazan, ku u shndërrua në një nga sulmuesit më të rrezikshëm të kampionatit rus, Daku fiton tashmë një mundësi të madhe për të luftuar për trofe me Spartakun dhe për të qenë protagonist në objektivat e klubit të Moskës.
Sulmuesi pritet të ketë një rol të rëndësishëm në repartin ofensiv të Spartakut, i cili beson se shqiptari do të sjellë gola dhe eksperiencë. Ky transferim konsiderohet një hap i madh në karrierën e Dakut, pasi ai kalon te një skuadër me histori të pasur dhe me ambicie për titullin kampion.
Kalimi te Spartaku është gjithashtu një lajm shumë pozitiv për Kombëtaren shqiptare, pasi Daku do të vazhdojë të luajë në nivele të larta dhe në një klub me më shumë pretendime, duke synuar të konfirmojë formën e shkëlqyer që ka treguar në futbollin rus. /Sport Ekspres/