Ruben Amorim duket një dështim i madh te Milani, Chelsea fiton lehtë kundër kuqezinjëve dhe nuk i lë 1 goditje në portë

Ruben Amorim po përballet me një nisje aspak bindëse në stolin e Milanit, teksa skuadra kuqezi pësoi një tjetër goditje në fazën përgatitore. Milani u mposht me rezultatin e thellë 3-0 nga Chelsea në Xhakartë, në një ndeshje ku italianët zhgënjyen si në aspektin ofensiv, ashtu edhe në atë defensiv.

Problemet e skuadrës së Amorimit ishin të dukshme gjatë gjithë takimit. Milani pati vështirësi të krijonte raste dhe nuk arriti të regjistronte asnjë goditje në kuadratin e portës së Chelsea-t. Në krahun tjetër, anglezët shfrytëzuan pothuajse çdo hapësirë të krijuar dhe dominuan takimin.

Joao Pedro ishte protagonist absolut për Chelsea-n, duke shënuar dy gola, ndërsa Moises Caicedo realizoi golin e tretë me një goditje spektakolare nga distanca.

Kjo humbje shton edhe më shumë pikëpyetjet rreth punës së Amorimit. Trajneri portugez ka marrë përsipër një projekt të madh në Milano, por rezultatet e para nuk po japin sinjale pozitive.

Edhe pse bëhet fjalë për fazën përgatitore dhe sezoni zyrtar ende nuk ka nisur, paraqitjet e Milanit po krijojnë shqetësim te tifozët. Amorimit i duhet ende shumë punë për të ndërtuar një skuadër që të jetë në gjendje të luftojë për objektivat madhore të klubit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/