Vedat Muriqi nuk është ende në formën e tij më të mirë për shkak të lëndimit të pësuar gjatë fazës përgatitore. Sulmuesi shqiptar i ka nisur nga stoli ndeshjet e fundit, duke bërë që në rrjet të nisin edhe ngacmimet. Taliska në rolin e titullarit dhe afrimi i Lukakut te Fenerbahçja kanë ngritur pikëpyetje në opinionin sportiv.
Por komentatori sportiv, Nexhat Mete, i ka dalë në mbrojtje Muriqit. Ai ka thënë për “HT Spor” se nëse Vedati do të kishte kombësi tjetër, atëherë do të flitej ndryshe për të. Mete ka theksuar faktin se sulmuesi shqiptar është prej 5 lojtarëve që shënoi mbi 20 gola sezonin e shkuar në ligat më të forta të Europës. Një arritje që e realizoi me një ekip që ra nga kategoria dhe jo me skuadrat elitare europiane.
“Kam parë që lojtari është përballur me shumë ngacmime në mediat dixhitale, sepse emri i tij është Vedat. Arsyeja e dëmtimit të Vedat Muriqit është se ai nuk ka filluar stërvitjen kaq herët për një kohë të gjatë. Shoh që Vedat Muriqi po ngacmohet tepër dhe kjo nuk është e drejtë. Le të flasim për golashënuesit që tejkaluan 20 gola në 5 ligat e mëdha sezonin e kaluar. Do t’i përmend: Harri Kejni, Halandi, Mbapeja dhe Vedat Muriqi. Vedat Muriqi e bëri këtë jo në ekipet e mëdha, por në një skuadër me cilësi të dobëta sulmuese që ra nga kategoria. Ky djalë hyri në sezon herët kur duhet të kishte bërë një pushim për një kohë dhe u lëndua. Nëse emri i Vedatit do të ishte i huaj, do të flisnim për gjëra të tjera”, ka deklaruar Nexhat Mete./Sport Ekspres/