Fisnik Asllani pranë transferimit te Galatasarai, gjithçka varet nga….Leao!

Galatasaray vazhdon të lëvizë në merkato dhe emri i Fisnik Asllanit është futur seriozisht në planet e klubit turk. Sipas informacioneve të fundit, drejtuesit e Galatasaray kanë arritur një marrëveshje me sulmuesin shqiptar për kushtet personale, duke siguruar paraprakisht dakordësinë e lojtarit.

Megjithatë, transferimi i Asllanit në Stamboll nuk është ende i përfunduar. 23-vjeçari po mbahet aktualisht si një alternativë, ndërsa Galatasaray pret zhvillimet e fundit në lidhje me objektivin kryesor, Rafael Leao.

Klubi turk është duke monitoruar mundësinë e një transferimi të yllit portugez dhe e ardhmja e Asllanit duket se lidhet drejtpërdrejt me rezultatin e këtyre negociatave. Nëse marrëveshja për Leaon nuk konkretizohet, Galatasaray mund të kalojë menjëherë te Fisnik Asllani, pasi kushtet personale me lojtarin raportohet se janë dakordësuar.

Asllani konsiderohet një nga sulmuesit më interesantë shqiptarë të momentit dhe një transferim te Galatasaray do të ishte një hap shumë i rëndësishëm në karrierën e tij. Kampionët turq duket se duan të jenë të përgatitur për çdo skenar dhe kanë siguruar një alternativë konkrete.

Tashmë gjithçka varet nga lajmet që do të vijnë për Rafael Leaon. Nëse portugezi nuk do të përfundojë në Stamboll, rruga për Fisnik Asllanin mund të hapet shumë shpejt. /Sport Ekspres/