Daniel Godelli shpërthen ndaj institucioneve: Nuk ndalem pa marrë djersën time, ku i keni sportistët tuaj?

Legjenda shqiptare e peshëngritjes, Daniel Godelli, ka reaguar me tone të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe institucioneve shtetërore, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si vlerësohen sportistët shqiptarë dhe rezultatet e tyre.

Në një reagim publik, Godelli ka kërkuar të dijë se ku janë sportistët që kanë marrë grada honorifike nga shteti, duke i krahasuar me rezultatet e arritura prej tij në arenën ndërkombëtare. Peshëngritësi ka kujtuar suksesin e tij në Lojërat Mesdhetare të vitit 2013, ku theu rekorde dhe fitoi medalje të arta në shkëputje dhe shtytje.

Godelli thekson se në atë periudhë arriti rezultate të mëdha pa pasur mbështetjen e duhur nga institucionet. Ai është shprehur i zhgënjyer nga fakti që, sipas tij, sportistë me rezultate të mëdha nuk kanë marrë vlerësimin që meritojnë, ndërsa janë nderuar persona të tjerë.

“I nderuar Kryeministër, Edi Rama
Vetëm një pyetje do t’ju drejtoj, me thjeshtësinë më të mundshme që di:
A mund të di se ku janë këta sportistë që ju, bashkë me Ministrin e Sportit dhe të Mbrojtjes, u keni dhënë gradat honorifike? Ku ishin në Lojërat Mesdhetare?
Përveç sportit më të suksesshëm që ka Shqipëria, peshëngritjes, uroj dhe përgëzoj kolegët e mi. Uroj që sa më shpejt të marrin nga dy medalje ari në Lojërat e tjera Mesdhetare.
Ku është bodybuilderi juaj, i nderuar Kryeministër, dhe ju, të nderuar ministra të Sportit dhe të Mbrojtjes?
Nuk flas kurrë me mllef për asnjë sportist, por të më ulësh mua dhe të ngresh disa sportdashës, jo sportistë, është gabim.
Sa për dijeni, se ju të politikës harroni shpejt, por po ju tregoj eksperiencën time në Lojërat Mesdhetare 2013:
Thyva rekordin në shkëputje, normalisht medalje ari, dhe në stilin e shtytjes, normalisht medalje ari. Gjithashtu, thyva rekordin në stilin e shkëputjes me 151 kg dhe tentova rekordin e stilit të shtytjes me 187 kg.
Dhe duhet të theksoj: pa asnjë mbështetje nga askush.
Është e lehtë të vendosni ju, pushtetarët, kush e meriton dhe kush jo. Por merrni dhe pyesni ndonjë ekspert që merr vesh të paktën nga sporti im dhe t’ju thotë si është e vërteta dhe kush ka rezultate.
Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se vlerësimin që meriton një sportist për rezultatet dhe sakrificën e tij.
Ju falënderoj, i nderuar Kryeministër.
P.S. Nuk ndalem pa marrë djersën time. Si të jeni ju akoma Kryeministër, si të jenë dhe ata dy ministra të Sportit dhe të Mbrojtjes, kushdo qoftë në pushtet, unë s’do të ndaloj kurrë së kërkuari djersën time”, shkruan Godelli në Facebook. /Sport Ekspres/