Lionel Messi ka bërë një tjetër lëvizje të bujshme, këtë herë jashtë fushës së futbollit. Legjenda argjentinase ka arritur marrëveshje për të marrë kontrollin e CD Eldense, klubit që aktualisht garon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll, LaLiga 2.
Sipas raportimeve, Messi do të marrë 100 për qind të aksioneve të klubit, duke u bërë pronari i vetëm i Eldense. Megjithatë, finalizimi i plotë i operacionit kërkon përfundimin e procedurave ligjore dhe miratimin e autoriteteve përkatëse në Spanjë.
Eldense nuk po kalon një moment të mirë sportiv. Pas katër ndeshjeve të para të sezonit, skuadra ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe ndodhet në vendin e 20-të, çka ka sjellë edhe ndryshime në pankinë.
Kjo nuk është investimi i parë i Messit në futbollin spanjoll. Në prill, ai bleu gjithashtu klubin katalanas UE Cornellà, që luan në një kategori më të ulët.
Me Eldense, Messi hyn në një projekt shumë më ambicioz. Klubi është vetëm një kategori larg elitës së futbollit spanjoll dhe tashmë emri i një prej futbollistëve më të mëdhenj në histori pritet të sjellë vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare. /Sport Ekspres/