Bernardo Silva mund të kishte përfunduar te Barcelona gjatë merkatos së verës, por në fund mesfushori portugez zgjodhi një destinacion që i ka dhënë edhe më shumë peshë historisë së tij në Spanjë: Real Madridin. Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka zbuluar tashmë arsyet që penguan marrëveshjen.
Sipas Decos, Silva kishte dëshirë të madhe për të veshur fanellën blaugrana, por kërkesat e tij nuk përputheshin me parametrat që klubi katalanas kishte vendosur për transferimet. Problemi kryesor ishte financiar, por edhe roli që lojtari kërkonte në skuadër.
“Bernardo donte të vinte te Barcelona, por nuk u përputhëm. Problemi ishte ekonomik dhe sa minuta do të luante. Ai donte të luante, ndërsa unë preferoj lojtarët tanë”, deklaroi Deco.
Silva, pas nëntë vitesh te Manchester City, firmosi një kontratë dyvjeçare me Real Madridin. Portugezi, tashmë 32-vjeç, ka zhvilluar katër ndeshje me madrilenët, por ende nuk ka regjistruar gol apo asist.
Kështu, një lojtar që dëshironte Barcelonën përfundoi te rivalët e përjetshëm, duke i dhënë këtij transferimi një tjetër dimension. Tani mbetet për t’u parë nëse vendimi i Decos do të rezultojë i drejtë apo nëse Silva do ta bëjë Barcelonën të pendohet për refuzimin. /Sport Ekspres/