Vllaznia zhytet në krizë në ndeshjen që nuk mbaronte kundër Laçit, shkodranët janë të fundit në Superiore

Derbi i veriut mes Laçit dhe Vllaznisë ka dhuruar emocione, tension dhe episode të shumta, me kurbinasit që kanë arritur të marrin një fitore të rëndësishme në javën e katërt të “Abissnet Superiore”.

Laçi e nisi ndeshjen me synimin për të reaguar pas rezultateve jo të mira, ndërsa Vllaznia kërkonte fitoren e parë në kampionat. Pjesa e parë u mbyll pa gola, me të dyja skuadrat që patën momente, por pa arritur të zhbllokonin rezultatin.

Në fraksionin e dytë, Laçi u tregua më konkret. Në minutën e 50-të, Orgi Cena realizoi golin e avantazhit, duke ndezur stadiumin. Situata u komplikua edhe më shumë për Vllazninë në minutën e 71-të, kur Adrian Mehmeti u ndëshkua me karton të kuq dhe la skuadrën shkodrane me dhjetë lojtarë.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta pas hedhjes së një objekti në fushë, ndërsa arbitri Kreshnik Cjapi kërkoi edhe boshatisjen e një pjese të tribunës.

Në fund, Laçi goditi sërish me Traoren, i cili shënoi në minutën e 88-të. Sfida përfundoi 2-0 pas plot 19 minutash shtesë. Me këtë sukses, Laçi ngjitet në 7 pikë, ndërsa Vllaznia mbetet me vetëm 2 pikë. /Sport Ekspres/