Dinamo ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme në Abissnet Superiore, duke mposhtur 3-1 Laçin në “Elbasan Arena”, në duelin e vlefshëm për javën e pestë të kampionatit.
Kryeqytetasit e nisën mirë sfidën dhe kaluan në avantazh në minutën e 23-të. Ishte Lorran ai që gjeti rrjetën për Dinamon, duke ndezur festën e skuadrës së Ilir Dajës. Por përgjigjja e Laçit ishte e menjëhershme. Vetëm dy minuta më vonë, Gamarra barazoi shifrat në 1-1.
Gamarra do të ishte protagonist edhe pak minuta më vonë, por këtë herë në krahun negativ. Në minutën e 44-t, lojtari i Laçit u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të parregullt, duke lënë skuadrën kurbinase me dhjetë lojtarë.
Në pjesën e dytë, Dinamo shfrytëzoi avantazhin numerik. Në minutën e 55-të, Vila realizoi golin e dytë, ndërsa Laçi tentoi të reagonte dhe iu afrua barazimit, duke goditur edhe shtyllën.
Në fund, Ruçi vulosi fitoren e Dinamos në minutën e 90+3-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 3-1.
Me këtë sukses, Dinamo ngjitet në kuotën e 12 pikëve, vetëm një pikë pas Teutës kryesuese, ndërsa Laçi mbetet me 7 pikë. /Sport Ekspres/