Në Brazil janë “çmendur”, teoria konspirative: Vinicius Junior është zhdukur, e kanë zëvendësuar me një sozi që luan në vendin e tij

Një teori e pazakontë konspirative për Vinicius Junior po qarkullon në rrjetet sociale në Brazil, ku disa përdorues pretendojnë se futbollisti i Real Madridit nuk është më i njëjti person dhe se është zëvendësuar nga një sozi. Gjithçka nisi nga krahasimet e fotografive të vjetra me ato të fundit të brazilianit. Përdorues të ndryshëm kanë analizuar në detaje veshët, hundën, nofullën, buzëqeshjen, madje edhe mënyrën se si ecën Vinicius, duke pretenduar se kanë gjetur ndryshime të mëdha.

Dyshimet u rikthyen fuqishëm pas paraqitjes së tij me Brazilin kundër Australisë. Performanca jo shumë e mirë e Viniciusit u shoqërua me komente dhe shaka në rrjetet sociale, duke i dhënë më shumë jetë kësaj historie. Versioni më ekstrem i teorisë pretendon se Vinicius është zhdukur dhe se një person që i ngjan atij po e zëvendëson për të vazhduar kontratat e tij të mëdha reklamuese. Madje, një faqe ka pretenduar se futbollisti ka ndërruar jetë më 31 gusht, por nuk ekziston asnjë provë e besueshme për këtë pretendim.

Ndryshimet në pamjen e tij mund të shpjegohen shumë më thjesht, përmes stilit të flokëve, peshës, trajtimeve estetike, ndriçimit dhe këndeve të fotografimit. Vinicius vazhdon normalisht aktivitetin e tij si futbollist. Për momentin, gjithçka mbetet thjesht një teori interneti, pa asnjë bazë faktike. /Sport Ekspres/