Në kuadër të Javës së Grassroots, Federata e Futbollit zhvilloi një aktivitet në shkollën 9-vjeçare “Korb Muça” në Qerekë, me fokus promovimin e futbollit të vajzave dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët në sport.
Aktiviteti kishte në fokus ndërgjegjësimin e nxënësve mbi rëndësinë e përfshirjes së vajzave në futboll dhe mundësitë që sporti ofron për zhvillimin e tyre.
Gjatë aktivitetit u zhvillua një bashkëbisedim me nxënësit e klasave të treta, të katërta dhe të pesta, i shoqëruar edhe me një pyetësor mbi futbollin e vajzave. Fëmijët patën mundësinë të ndanin mendimet e tyre rreth pjesëmarrjes së vajzave në futboll, ndërsa aktiviteti vijoi me lojëra dhe aktivitete të ndryshme sportive.
Nxënësit u angazhuan me interes dhe entuziazëm, duke përcjellë edhe përmes përgjigjeve dhe pjesëmarrjes së tyre rëndësinë e krijimit të hapësirave ku çdo fëmijë mund të afrohet me futbollin.
Përmes aktiviteteve të Grassroots, FSHF synon të sjellë futbollin më pranë fëmijëve dhe të promovojë një sport gjithëpërfshirës, ku vajzat dhe djemtë kanë të njëjtat mundësi për të marrë pjesë, për të luajtur dhe për t’u zhvilluar përmes sportit.
Mesazhi i aktivitetit në shkollën “Korb Muça” ishte i qartë: futbolli është një sport për të gjithë dhe çdo vajzë duhet të ketë mundësinë të jetë pjesë e tij.