Protesta studentore prek edhe ndeshjen e Egnatias në Europë, tifozët bojkotojnë përballjen

Protestat studentore në Tiranë kanë prekur edhe futbollin shqiptar. Në prag të një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e Egnatias, tifozët e grupimit “Ultras Egnatia” kanë marrë një vendim të fortë, duke njoftuar bojkotimin e përballjes ndaj Midtjylland në Ligën e Konferencës.

Përmes një reagimi publik, tifozët rrogozhinas kanë bërë të ditur se nuk do të jenë të pranishëm në stadium, në shenjë solidariteti me studentët që po protestojnë dhe kërkojnë përmirësimin e kushteve të tyre.

“Ultras Egnatia bojkoton ndeshjen. Sot heshtja jonë është mesazh solidariteti”, thuhet në mesazhin e publikuar nga grupimi, i cili thekson mbështetjen për protestat dhe kërkesat e studentëve.

Ky vendim vjen në një moment të veçantë për klubin rrogozhinas, që po përgatitet të përfaqësojë Shqipërinë në fazën e ligës të kompeticionit europian. Megjithatë, atmosfera festive që zakonisht shoqëron sfida të tilla pritet të jetë ndryshe, pasi një pjesë e rëndësishme e tifozërisë ka zgjedhur të mos jetë në shkallët e stadiumit. Ndërkohë, për shkak të situatës së krijuar në kryeqytet, UEFA ka vendosur që ndeshja Egnatia-Midtjylland të zhvillohet në “Elbasan Arena”, në orën 18:45. Kështu, protesta studentore lë gjurmën e saj edhe në futboll, ndërsa Egnatia përballet me një sfidë historike në arenën europiane. /Sport Ekspres/