“Jam krenar, treguam sa mirë dimë të luajmë futboll”, Dede optimist: Vetëm një humbje kemi

Egnatia e nisi me një barazim përvojën e parë në Ligën e Kampionëve. Përballja kundër Midtjylland-it përfundoi me shifrat 1-1. Pas përfundimit të sfidës Nevil Dede ka folur për mikrofonin e “RTSH” -së, ku është shprehur krenar për lojtarët e tij. Trajneri i kampionëve në fuqi të “Abissnet Superiore”-s pranon disnivelin në cilësi dhe përvojë mes të dyja skuadrave, por në fushë u përballën si të barabartë.

“Realisht e dinim se ishte një kundështar i vështirë. E respektonim, por nuk e kishim frikë. Besoj se çdo gjë që kemi punuar me djemtë rezultoi e saktë. Më vjen keq për golin e pësuar, sepse e kishim punuar. Duhet të pranojmë kualitetin, cilësinë, eksperiencën e tyre europiane. Por unë jam krenar dhe do flas më shumë për djemtë. Nuk di nga t’ja filloj për çunat. Ajo që më pëlqeu më shumë është që nuk vuajtëm fizikisht. Me raste mund të jemi të barabartë, por me zotërim ata janë më të fortë se ne. Shifrat nuk tregojnë realisht nivelin tonë.

Nuk e përcaktojnë dot nivelin tonë as ata, një ekip kaq me buxhet të madh dhe me histori. Ne treguam se kush jemi, dinjiteti, personaliteti, sa mirë dimë të luajmë edhe futboll. Ata kanë eksperiencë shumë të madhe europiane, ndërsa ne jemi në hapin e parë. Rëndësi ka që nuk gabuam. Vetëm 1 humbje kemi. Kjo më bën të jem optimist dhe ta shikoj gotën gjysmë plot”, është shprehur Nevil Dede./Sport Ekspres/