Armir Grima është kryetari i ri i Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme të SHRF Shkodër, Grima u votua nga 20 anëtarët me të drejtë vote, duke marrë drejtimin e shoqatës për të vijuar punën për zhvillimin e futbollit në rajonin e Shkodrës.
Pas mbetjes vakant të pozicionit të kryetarit, pas dorëheqjes së Lazer Matijas, drejtuesit e Shoqatës vendosën thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme për të vijuar procesin e drejtimit dhe funksionimit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër.
Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për organizimin dhe administrimin e procesit zgjedhor, bëri të ditur se në këtë proces ishte paraqitur vetëm një kandidaturë, ajo e Armir Grimës, i propozuar nga 20 prej 21 anëtarëve të SHRF Shkodër. Në Asamble morën pjesë 30 delegatë.
Pas zgjedhjes në krye të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, Armir Grima falënderoi anëtarët për besimin e dhënë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për zhvillimin e futbollit në të gjithë rajonin.
“Të nderuar anëtarë të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër,
Ju falënderoj sinqerisht për besimin që më dhatë sot dhe për mbështetjen tuaj. E vlerësoj këtë përgjegjësi dhe e marr me respektin e duhur ndaj Shoqatës, anëtarëve të saj dhe traditës së futbollit në Shkodër.
Besoj se puna jonë në vijim duhet të mbështetet mbi bashkëpunimin, komunikimin dhe angazhimin e përbashkët të të gjithë anëtarëve. Ka shumë për të bërë dhe synimi im është që, së bashku, të vijojmë të forcojmë aktivitetin e Shoqatës dhe të krijojmë sa më shumë mundësi për zhvillimin e futbollit në të gjithë rajonin.
Dua të falënderoj Komisionin e Verifikimit për punën dhe profesionalizmin e treguar gjatë procesit zgjedhor, si dhe të gjithë ju për besimin e dhënë. Ju siguroj se do të jem i angazhuar për të përfaqësuar interesat e Shoqatës dhe për të punuar në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e saj.
Faleminderit edhe një herë për besimin. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese për Shoqatën Rajonale të Futbollit Shkodër”, – tha Armir Grima.