Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Tiranën me rezultatin 1-2 në stadiumin e Vorës, në një përballje të luftuar të Abissnet Superiore. Bardheblutë e nisën mjaft mirë takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e 4-t me Hazrollajn. Megjithatë, kampionët reaguan dhe gjetën golin e barazimit në minutën e 20-të me Loukili, i cili festoi me një dedikim për shokun e dëmtuar të skuadrës, Eljon Sota.
Egnatia nuk u mjaftua me barazimin dhe vijoi të kërkonte golin e fitores. Rrogozhinasit arritën të përmbysnin rezultatin, duke siguruar tri pikë të çmuara në garën për kreun e renditjes, falë golit të Diabate në të 77. Nga ana tjetër, Tirana largohet duarbosh nga kjo përballje, pavarësisht avantazhit të hershëm. Një rezultat që konfirmon edhe një herë ambiciet e Egnatias për të qëndruar në krye të kampionatit. /Sport Ekspres/