4-0 me Qipron dhe 0-0 me Suedinë, Armand Duka përgëzon moshat e Shqipërisë

Moshat e Shqipërisë kanë zhvilluar dy ndeshje para pak orësh ku kanë prodhuar rezultate pozitive. Ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe gjithë vëmendja ishte te Shqipëria U-19 pasi aty janë të gjithë talentet nga të cilët pritet shumë.

Armend Muslika i Totenhem, Alen Vukaj i Inter, Gabriel Kulla i Sasuolos dhe Himanllari i Partizanit kanë shkëlqyer në fitoren 4-0 ndaj Qipros. Nga ana tjetër, Shqipëria U-17 ka barazuar 0-0 me Suedinë, duke krijuar një surprizë të bukur. Në lidhje me këto rezultate, Armand Duka ka duartrokitur performancën e Shqipërisë.

“Urime çunave kuqezi të ekipit kombëtar U-19 për fitoren bindëse 4-0 kundër Qipros. Ju përgëzoj për triumfin, por edhe për lojën, vendosmërinë dhe dëshirën për të marrë tre pikët në këtë ndeshje. Bravo çuna, bravo trajneri Tafaj! Dua të përgëzoj edhe kombëtaren U-17 për barazimin e vyer 0-0 përballë një kundërshtari të fortë si Suedia. Vazhdoni kështu çuna”, shkruan Duka. /Sport Ekspres/