Kombëtarja shqiptare U-19 e ka mbyllur me sukses të plotë raundin e dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2026/27. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 4-0 ndaj Armenisë në ndeshjen e dytë dhe të fundit të këtij raundi, duke regjistruar të njëjtin rezultat si në sfidën e parë ndaj Qipros.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Fatjon Tafaj zhvilloi dy paraqitje shumë të mira, duke siguruar vendin e parë në grup me pikë të plota, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Një rezultat që i garanton Shqipërisë U-19 ngjitjen në Ligën A për raundin e tretë të kualifikueseve.
Trajneri Fatjon Tafaj e nisi ndeshjen me këtë formacion: Huli (GK), Cekrezi, Nasto, Sylejmani, Himallari, Muslika, Kulla (C), Blini, Vata, Vukaj, Asani.
Shqipëria e nisi takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 4-t. Armend Muslika realizoi një gol fantastik me një goditje dënimi nga jashtë zonës, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke i dhënë epërsinë kuqezinjve.
Kombëtarja U-19 vijoi të luante me besim dhe kërkoi të thellonte avantazhin. Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i dytë. Gabriel Kulla, i vetëm përballë portierit, nuk gaboi dhe realizoi, duke dyfishuar shifrat për Shqipërinë.
Në minutën e 61-të, kuqezinjtë gjetën edhe golin e tretë me Alen Vukajn. Sulmuesi depërtoi bukur nga krahu, kaloi kundërshtarët që i dolën përpara dhe, i vetëm përballë portierit, u tregua i saktë për të dërguar topin në rrjetë.
Në minutën e 74-t, Gabriel Kulla realizoi sërish, duke kompletuar dopietën personale. Bomberi kuqezi lëshoi një goditje të fortë nga brenda zonës, duke mposhtur portierin për herë të dytë dhe duke çuar rezultatin në 4-0.
Me këtë fitore të pastër, Kombëtarja U-19 e mbyll në mënyrën më të mirë këtë raund, duke siguruar vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën A. Një arritje shumë e rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët do të kenë tashmë mundësinë të luftojnë për një vend në fazën finale të Kampionatit Europian U-19.
Më 10 dhjetor do të hidhet shorti për grupet e Ligës A, ku Shqipëria do të mësojë kundërshtarët me të cilët do të përballet në raundin e tretë, që do të zhvillohet në pranverën e vitit 2027 dhe do të përcaktojë shtatë kombëtaret që do t’i bashkohen Çekisë në fazën finale të Kampionatit Europian U-19 “Çeki 2027”.
Një sukses i merituar për Kombëtaren U-19, që me dy fitore, tetë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, siguron ngjitjen në Ligën A dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës europiane!