Një ndeshje e çmendur në Durrës mes Teutës dhe Tiranës. Bardheblutë e nisën më mirë përballjen, teksa gjetën edhe golin në pjesën e parë. Regi Lushkja realizoi një goditje spektakolare nga një distancë mjaft e largët në minutën e 24-t, duke zhbllokuar rezultatin. Pjesa e parë përfundoi me epërsinë e kryeqytetasve, ndërsa edhe e dyta nisi po me avantazhin e Tiranës. Abazaj e dërgoi topin në rrjetë vetëm 4 minuta pas përfundimit të pjesës së dytë, duke e bërë të dukej se ndeshja do të shkonte në favor të ekipit të drejtuar nga Ahmataj.
Por Teuta tregoi karakter dhe këmbënguli deri në minutat e fundit. Lloci u kthye në makthin e Tiranës, teksa brenda tre minutave e dërgoi topin 2 herë në rrjetë. Lloci shënoi fillimisht në minutën e 79, ndërsa në të 82-tën i dërgoi shifrat në 2-2. Teuta vijoi presionin mbi kundërshtarin deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, por pa mundur të gjenin golin e përmbysjes. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.
Martini (Teuta): “Është ndeshja më e keqe që kemi bërë në vazhdën e 10 ndeshjeve të fundit. E lamë Tiranën të luantë. Bënë atë gol nga distanca, por nuk duhet ta kishim lejuar. Pësuam në pjesën e dytë shumë shpejt, çka na uli moralisht. Më pas luajtëm gjithçka për gjithçka. Është një pikë karakteri. Një pikë që vlen sa një fitore. Llocit i thashë ‘bravo, vazhdo kështu‘. Ana më problematike është besimi, ana psikologjike, sepse kemi humbur pikë atëherë kur nuk e kemi merituar. Ekipi nga ndeshja në ndeshje duhet të ketë rritje dhe do të vijë edhe rezultati. Ne edhe sikur të fitonim ndeshjen sot, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse nuk kemi bërë asgjë. Jemi në vend të fundit dhe euforia nuk ka vend te ne“.
Ahmataj (Tirana): “Goli i dytë i Teutës duhej anulluar? Nuk jam marrë asnjëherë me arbitrat dhe nuk do merrem asnjëherë. Kështu që nuk kam asnjë koment për rastin. Kush e ka parë e gjykon. Di që çdo prekje e topit me dorë është faull, kjo është rregullorja. Nuk dua të merrem me këtë. Duhet të kishim shënuar më shumë. Duhet ta menaxhonim më mirë ndeshjen. Presioni i rezultatit ndikon ndonjëherë. Secilës skuadrës i duhen lojtarë dhe ka nevojë për përforcime. Na mungonte Najdovski, i cili është mjaft i mirë në lojën në ajër. Për këtë ndeshje do të ishte shumë deçiziv. Po përjetohet si të jetë një dramë. Tirana luajti shumë rrjedhshëm. Tirana ka forca. Largimet e lojtarëve nuk i pengon Tirana, sepse është në të mirën e të dyja palëve“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/