Ka përfunduar me rrjeta të paprekura përballja e sotme mes Egnatias dhe Teutës. Bregdetarët ia dolën të ndalnin kryesuesit e “Abissnet Superiore”-s, duke marrë një pikë mjaft të vlefshme në Rrogozhinë. Egnatia gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 93-të të takimit, kur Zhoeli e ngriti peshë tifozët me golin e tij. Por festa u shua shpejt.
Arbitri vendosi të anullonte golin, pasi Drame, i cili dha pasimin e fundit, gjendej në pozicion jashtë loje. Në fund skuadrat u larguan me nga një pikë nga stadiumi. Kjo është ndeshja e katërt radhazi pa fitore për Egnatian. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Tetova (Egnatia): “Sot ishin të gjitha. Luftë, futboll i bukur, por mbi të gjitha dy gola të anulluar për të cilët na vjen keq. Jam shumë i kënaqur me çunat e mi, që janë më të mirët në Shqipëri. Nuk jam marrë kurrë me arbitrat, nuk kam koment. Po tregojnë dita-ditës prodhim. Po luajmë mirë, po shkojmë para portës ashtu si dua unë. Tetua mace e zezë për ne? Nuk mund ta themi. Sot mund ta fitonim ndeshjen. Më vjen keq për rastet e humbura, por shohim përpara. Edhe një pikë nuk është keq”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/