Vllaznia është padyshim ekipi i momentit në Superiore. Më saktë, këtë stafetë e mbante së bashku me Dinamon, por ekipi i Qatip Osmanit mendoi për t’i dhënë një goditje kryeqytetasve. Në ditën e sotme, shkodranët kanë arritur që të fitojnë me shifrat 0-1. Goli i realizuar nga Alivoda në minutën e 29 mjaftoi për t’i dhënë tre pikët Vllaznisë. Ndërkohë në minutën e fundit, Hoxha do të linte Dinamon me 10 lojtarë. Pas kësaj fitore, Vllaznia ndodhet në vendin e 2, 6 pikë larg Egnatias kryesuese dhe 8 pikë larg zonës që e nxjerrë nga Final Four, kurrrë më e qetë se sot.
Nga krahu tjetër Tirana nuk po e kalon dot ngërcin psikologjik. Bardheblutë e nisën ndeshjen me një avantazh të madh, atë numerik. Në ndeshjen kundër Lacit, një karton i kuq do të jepej për Silvën e kurbinasve, pas ndërhyrjes ndaj Lushkjas si lojtari i fundit. Lushkja ia doli që të realizoi golin e parë te Tirana në minutën e 53, por nuk mjaftoi pasi Myrta ia doli që të shënonte. Një gabim i madh për bardheblutë, ndërsa Laçi nuk mund të kënaqet kurrsesi për sa kohë barazimi është kthyer rezultati i tyre i çdo takimi.
Fagu (Tirana): “Na vjen keq për rezultatin, por i tillë është futbolli. Mund të ndëshkohesh atëherë kur ti mendon se e ke ndeshjen në kontroll. Ne në stolin e rezervave kemi lojtarë të rinj, por janë pjesë e organikës. Kur i aktivizojmë, mundohemi që ata të luajnë sa më mirë. Është e vështirë të ndryshosh rrjedhën e lojës kur nuk ke një organikë të plotë. Gjithsesi, kemi shumë ndeshje përpara dhe mund të rekuperojmë. Këta lojtarë kanë luajtur pothuajse çdo tre ditë. Armiku jonë kryesor në këto momente është lodhja fizike. Duhet të përmirësojmë disa gjëra. Duhet të jemi më agresivë kur kundërshtari ka topin. Por duhet ende kohë, pasi tre ditë kam që e stërvis skuadrën. Shpresoj që ndeshja me Vllazninë të jetë një ogur i mirë për kthesën e Tiranës”.
Josa (Laçi): “Pika është e vlefshme. Në pjesën e parë e filluam lojën shumë mirë. Pastaj u prishën ekuilibrat pas daljes jashtë të qendërmbrojtësit tonë. Skuadra duhet të ishte treguar më e qetë në vendosjen e re. Pësuam golin, i cili erdhi si rezultat i një karamboli ose një mosvendosjeje të mirë nga këndorja. Pastaj skuadra pati iniciativë dhe sulmoi portën e Tiranës. Kur je në këto pozita, të thuash që s’jam i kënaqur me rezultatin është hipokrizi. Unë jam i kënaqur me lojtarët për shpirtin e garës. Unë nuk kam frikë. Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët, thjeshtë duhet të bëjmë punën tonë më me zell”.
Mehmeti (Dinamo): “Ky është futbolli. Është i paparashikueshëm, prandaj është i bukur. E dija që Vllaznia do të vinte me bllok të mesëm dhe do të përpiqej me tranzicion. Goli për mua ishte një eurogol për mënyrën se si u ekzekutua. Më vjen keq që ekipi, nga dëshira e madhe për të fituar, humbi qetësinë në disa situata. Më vjen keq për kartonat, marrim shumë. Duhet të jemi më të kujdesshëm. Futbolli kështu është dhe të shohim ndeshjen tjetër. Deri në momentin e pësimit të golit kemi qenë dominues, kemi pasur shkallëzim. Skuadra, nga besimi i tepërt, pati një ngërç psikologjik nga pësimi i golit. Me zor u futëm në lojë. Pas pësimit të golit donin të shkonin shpejt te skuadra e kundërshtarit. Në pjesën e dytë e vetmja gjë që mund të bënim, ishte të ruanim qetësinë dhe ta kërkonim golin me rrjedhë logjike. Gara për top 4-she? Mendoj që jo vetëm Tirana, por edhe Laçi, edhe Skënderbeu aty janë. Siç kemi përfituar ne, kanë përfituar edhe ata. Nuk duhet të merremi me skuadrat e tjera”.
Osmani (Vllaznia): “Në pozitën kur e mora ekipin ishte pak e vështirë. Objektivi është i qartë, në katër vendet e para. Sa i përket lojës së sotme, fillimi nuk ishte i mirë. Me kalimin e kohës u përmirësuam. Pas golit u stabilizuam. Pati raste edhe Dinamoja. Kur e ke rezultatin pozitiv i frikësohesh edhe ndonjë gabimi. Vetvetiu skuadra tërhiqet në 20 metërshin e vetë. Me fitoren e sotme jemi një hap, ende nuk e kemi siguruar top 4-shen. Por nga loja në lojë ekipi tregon një stabilitet. Nuk ka vend për eufori, sepse ka edhe shumë lojra. Vërtetë jemi në vendin e dytë, por ka edhe shumë ndeshje. Të jemi të qetë dhe të vazhdojmë me këtë ritëm”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/