Këtë fundjavë do të luhen ndeshjet e javës së 13-të të kampionatit “Abissnet Superiore” për vajza. Kjo javë rezervon përballje tepër interesante, teksa spikat pa dyshim derbi kryeqytetas Tirana-Partizani. Kjo sfidë do të luhet të shtunën në orën 13:00, teksa vajzat bardheblu do të kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes në sfidën e fundit ndaj Apolonisë. Në anën tjetër, vajzat e kuqe do të synojnë fitoren për të shkurtuar diferencën me Tiranën.
Të shtunën do të zhvillohen edhe tre sfida të tjera. Vllaznia do të udhëtojë drejt Lushnjes, teksa ndeshja është planifikuar të nisë në orën 12:00 dhe kampionet në fuqi të vendit do të kërkojnë fitoren e radhës për të blinduar vendin e parë.
Një takim interesant është edhe Kinostudio-Apolonia që do të luhet në orën 15:00. Vajzat e Kinostudios po kalojnë një moment shumë të mirë dhe në sfidat e fundit kanë marrë rezultate pozitive, megjithatë do ta kenë të vështirë ndaj Apolonisë, që renditet në vendin e dytë në kampionat. Në të njëjtën ditë do të zhvillohet edhe sfida, Teuta-Laçi që do të startojë në orën 10:00.
Java e 13-të e “Abissnet Superiore” për vajza do të mbyllet të dielën me takimin, Skënderbeu-Gramshi, që do të luhet në orën 13:00.
Ndeshjet e javës së 13-të në kampionatin “Abissnet Superiore” për vajza:
Teuta-Laçi, 16.03.2024, ora 10:00
Lushnja-Vllaznia, 16.03.2024, ora 12:00
Tirana-Partizani, 16.03.2024, ora 13:00
Kinostudio-Apolonia, 16.03.2024, ora 15:00
Skënderbeu-Gramshi, 17.03.2024, ora 13:00