Kjo duket se ishte java e befasisë në Superiore. Në ditën e djeshme ishte Teuta që fitoi kundër Partizanit dhe Skënderbeu që mori tre pikët kundër Egnatias. E teksa të gjithë prisnin që magjia e momentit, Vllaznia, të merrte për herë të parë kryesimin, kjo nuk ndodhi.
Kukësi vazhdon me rezultatet pozitive dhe këtë herë mposhti 2-0 Vllazninë, duke prishur gjithë ecurinë brilante të shkodranëve. Goli i parë i takimit erdhi nga Solodonvicov në minutën e 73, ndërsa 6 minuta më vonë, ishte po i njëjti lojtar që ndëshkoi për herën e dytë Vllazninë. Me këtë fitore Kukësi tregon qartë se nuk është dorëzuar në Superiore, ndërsa ekipi i Qatip Osmanit merr shkundjen e parë pas disa fitoreve pozitive radhazi. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Osmani: “Kemi bërë gabime që nuk duhen bërë. Në pjesën e parë ishim më të rrezikshëm, i pësuam golat nga gabimet individuale që i bëmë. U munduam të ndryshonim sistemin, por nuk ia arritëm. Humbja dhemb, por detyra jonë është që të mos elektrizojmë më atmosferën. Jemi munduar që të jemi sa më të qetë dhe nuk kisha ndonjë reagim negativ në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes. Ky është futboll, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në kampionatet e forta të Europës, është çështje inspirimi”
Devolli: “Kemi katër ndeshja pa pësuar gol, kjo është pozitive. Nuk i kemi lënë asnjë hapësirë Vllaznisë. Në pjesën e dytë bëm presing lart pasi mbrojtësat e tyre kanë probleme me topat e gjatë. Djemtë sakrifikuan dhe ja ku janë rezultatet. Kishim 7 mungesa sot dhe prapë ia dolëm. E treguam veten edhe ndaj ekipit më në formë të Superiores. Për mua, në pjesën e dytë portieri ynë ishte vetëm një spektator. I morëm masat dhe Vllaznia nuk na ka rrezikuar në pjesën e dytë”.