Pep Guardiola u ankua edhe një herë për kalendarin e ngjeshur të ndeshjeve të Manchester Cityt dhe iu referua faktit se Real Madridi do të ketë deri në nëntë ditë pushim para ndeshjes kundër skuadrës së tij.
“Ne luajmë Aston Villa të mërkurën, pastaj kundër Crystal Palace të shtunën! Më pas shkojmë në Madrid të martën. Reali do të ketë nëntë ditë për t’u përgatitur, nëntë ditë! Ata luajnë këtë fundjavë dhe nuk do të luajnë më shumë deri në ndeshjen tonë”, tha Guardiola.
Pas ndeshjes së mbrëmshme në Bernabeu, gazetarët i treguan Carlo Ancelottit se çfarë tha Guardiola dhe sa shumë u ankua për kalendarin e ekipit të tij. Ancelotti nuk ka dashur të provokojë diskutime të mëtejshme dhe e ka pranuar vetë se kalendari është në favor të Real Madridit.
“Ky është futbolli. Jam i lumtur që kemi nëntë ditë për t’u përgatitur për ndeshjen kundër Manchester Cityt. Është e vërtetë që kemi një avantazh të vogël, por kjo nuk ka pse të thotë asgjë. Kemi kohë të mjaftueshme dhe do të përpiqemi të përgatitemi sa më mirë”, tha Ancelotti. /Sport Ekspres/