Frederik Veseli ka dhënë së fundmi një intervistë për “1 Football Club”, në të cilën ka shpjeguar edhe vendimin e tij për të përfaqësuar Shqipërinë. Futbollisti i Fatih Karagumrukut ka thënë se zgjedhja ka qenë e lehtë për të. Së pari ka ndikuar fakti se pridërit e tij janë shqiptarë, ndërsa shton se Zvicra nuk ishte duke e thirrur më Kombëtare.
“Ishte një zgjedhje shumë e lehtë. Prindërit e mi janë shqiptarë dhe, në një moment, kur isha në United, ekipi i Zvicrës U-21 nuk më thirri më dhe nuk do ta kishin bërë këtë as në kombëtaren A. Në atë moment më thirri Shqipëria. Ishte një kohë e vështirë edhe në karrierë me klubet, me dy huazime. Kur u ktheva në Zvicër për të luajtur rregullisht, Shqipëria më thirri përsëri dhe nuk u mendova dy herë.
Marrëveshja e arritur mes federatave të Shqipërisë dhe Italisë? Kam folur për këtë me presidentin e Federatës sonë, është një marrëveshje shumë pozitive për lojtarët tanë. Më parë ata nuk mund të hynin në futbollin evropian për shkak të kufizimeve, por tani Italia e ka pranuar këtë marrëveshje, duke shpresuar që edhe ligat e tjera ta bëjnë këtë. Janë mjete që i lejojnë futbollistët shqiptarë të hyjnë shpejt në kategoritë e larta kur meritojnë të shprehin talentin e tyre”, ka thënë Frederik Veseli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/