UEFA po shqyrton rritjen e numrit të listës së lojtarëve që do të grumbullohen nga Kombëtaret për Europianin e Gjermanisë. Për momentin janë 23 lojtarë që duhet të thirren për Euro24, por numri mund të mbërrijë në 26. Në ditën e djeshme është bërë një takim mes trajnerëve që do të jenë pjesë e Europianit, në një seminar të UEFA-s që u zhvillua në Dusseldorf.
Për çudi, Silvinjo mbrojti skemën aktuale me 23 lojtarë dhe nuk dëshironte shtimin e numrit në 26 lojtarë. Megjithatë UEFA ka dalë me një deklaratë të fundit në faqjen zyrtare në lidhje me këtë çështje. “UEFA gjithashtu shfrytëzoi rastin për të diskutuar me trajnerët e mbledhur për numrin e lojtarëve për turneun e ardhshëm. Skuadrat e EURO 2024 janë aktualisht të kufizuara në 23 lojtarë, një rikthim në rregulloret e përdorura para EURO 2020, ndërsa u lejua një rritje në 26 për shkak të pandemisë COVID-19.
Diskutimet pozitive theksuan këndvështrime të ndryshme midis trajnerëve, me disa që shprehën dëshirën për të rritur numrin e lojtarëve, me më shumë zgjedhje në dispozicion për të trajtuar kërcënimin e dëmtimeve dhe kërkesat intensive fizike të vendosura mbi lojtarët. Të tjerë deklaruan preferencën e tyre për të kufizuar numrin e skuadrës në 23, duke vënë në dukje vështirësinë në stërvitje dhe menaxhimin e grupit me lojtarë shtesë. UEFA ka marrë parasysh opinionet dhe pikëpamjet e ndryshme të përbashkëta, me një vendim përfundimtar që do të merret në javët në vijim”, thuhet nga faqja zyrtare e UEFA-s. Federatat e futbollit kanë afat deri më 7 qershor për të dërguar listat përfundimtare të lojtarëve për Kampionatin Evropian. /Sport Ekspres/