Arsenali ka barazuar 2-2 ndeshjen e parë çerekfinale kundër Bajernit të Mynihut, por Mikel Arteta beson te kualifikimi. Trajneri i “topçinjve” ka thënë pas ndeshjes se është besimplotë se ekipi i tij do të shkojë në Mynih dhe do t’i mposhtë bavarezët. Mikel Arteta ka nxjerrë mësime nga sfida e sotme, në të cilën sipas tij i dhuruan dy gola kundërshtarit.
“Në Champions League nuk duhet t’i japësh asgjë kundërshtarit. Sot i dhuruam dy gola. Në situata të tilla ata të ndëshkojnë. Ky ishte mësimi më i madh. Diferencat janë shumë të vogla në këtë kompeticion. Kam shumë besim se do të shkojmë në Mynih dhe do t’i mundim. Kështu do ta përgatisim ndeshjen”, ka thënë Mikel Arteta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/