Në ditën e sotme janë zhvilluar dy përballje të Superiores. Tirana ka fituar me shifrat 0-2 ndaj Erzenit, ndërsa Skënderbeu fitoi po me të njëjtat shifrat, 0-2, kundër Kukësit. Një çmenduri e vërtetë do të ndodhte në garën për Final Four nëse Dinamo do të mundte Partizanin në ndeshjen e nesërme.
Arsyeja? Skënderbeu ndodhet në vendin e 6 me 44 pikë, Dinamo vjen në vendin e 5 me 46 pikë, Tirana ndodhin në vendin e 4 me 46 pikë dhe Partizani ndodhet në vendin e 3 me 48 pikë. Nëse Dinamo do të fitonte, atëherë do të ishin 4 ekipe në lojë që luftonin për 2 vende në Final Four. Pavarësisht se para disa kohësh dukej e pamundur, tani është edhe Partizani që rrezikon seriozisht hyrjen mes katër ekipeve më të mira.
Për të mos harruar këtu edhe faktin që Vllaznia ndodhet me 51 pikë në vendin e dytë dhe dy humbje radhazi në kampionat, do të krijonin një kaos të vërtetë edhe për shkodranët që nuk mund të flenë kaq shumë të qetë.
Në ndeshjet e mbetura, nuk ka asnjë përballje të lehtë, veçanërisht në një kampionat të tillë kur shumë ekipe kanë objektiva. Ndeshja e radhës e Vllaznisë do të jetë kundër Teutës, e cila kërkon të dalë nga vendi i Play Out.
Por ndeshjet e sotme krijuan një qartësim, të paktën për ekipet që do të bien nga Superiorja. Pas humbjes kundër Skënderbeut, Kukësi nuk ka thuajse asnjë mundësi për të qëndruar në elitë. Nga krahu tjetër pas humbjes me Tiranën, edhe për Erzenin minimozohen shanset për mbijetesë. Ndërkohë vendi i Play Out do të luhet mes Lacit dhe Teutës, megjithëse këto dy ekipe kanë shanse të mëdha për të qenë sërish në elitë vitin e ardhshëm. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/