Skuadra e Milanit po kalon një sezon shumë të keq dhe padyshim që do të pësojë një numër të madh ndryshimesh në fund të sezonit. Mediat e huaja pohojnë se koha e Piolit në Milano ka përfunduar dhe se ky trajner do të shkarkohet nga ky klub në fund të sezonit.
Gjithçka u konfirmua nga “mjeshtri” për transferimet dhe sigurisht është italiani Fabrizio Romano. “Planet e Milanit janë të qarta dhe nuk kanë ndryshuar. Stefao Pioli do të shkarkohet në fund të sezonit.
Hapat formalë do të ndërmerren në javët në vijim për të ndërprerë kontratën e tij”, ka shkruar Romano. Pioli u ul në pankinën e Milanit në tetor të 2019-ës dhe siç janë gjërat, atij i ka ardhur fundi në këtë klub.
Së fundmi skuadra e Milanit është eliminuar nga çerekfinalja e Europa League dhe më të mirë se ata ka qenë skuadra e Romës që do të luajë në gjysmëfinale me Bayer Leverkusen.
Përveç rezultateve të këqija, Pioli kritikohet edhe për refuzimin e shkarkimit të mjekëve të skuadrës së tij, për të cilët të gjithë besojnë se janë përgjegjës për numrin e madh të dëmtimeve në skuadrën e Milanit.
Dyshohet se drejtuesit e Milanit tashmë kanë “ndjerë erën” e një trajneri të ri, por do të jetë shumë e vështirë për ta sjellë, pasi ka shumë interes për të. Bëhet fjalë për De Zerbin. Ata do të përpiqen në çdo mënyrë ta sjellin nga Brighton dhe nëse dështojnë, atëherë do të emërojnë trajner Antonio Conten. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/