FSHF organizoi në “Shtëpinë e Futbollit” një seleksionim me futbollistët shqiptarë që aktivizohen në kampionatet jashtë vendit dhe në Shqipëri të datëlindjeve 2006, 2007 që mund t’i shërbejnë në të ardhmen Kombëtares U-19.
Të gjithë lojtarët e ardhur nga jashtë janë të sugjeruar nga skautët që bashkëpunojnë me FSHF-në, ndërsa futbollistët që aktivizohen në klubet dhe akademitë shqiptare janë përzgjedhur nga trajnerët e Kombëtareve të moshave dhe nga përgjegjësi i sektorit të skautizmit në FSHF, Ardi Behari.
Seleksionimi u ndoq nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, përgjegjësi i sektorit të skautizmit në FSHF, Ardi Behari, dhe nga trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave.
Në këtë seleksionim morën pjesë rreth 40 lojtarë të përzgjedhur dhe u organizuan edhe tre ndeshje. Të gjithë lojtarët që spikatën do të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga Drejtoria Teknike e FSHF-së dhe në të ardhmen do të kenë mundësi të japin kontributin e tyre për fanellën kuqezi.