“Abissnet Superiore” ka njohur sot finalistin e parë të “final four”-it. Partizani ka dalë triumfues mbrëmjen e sotme në “Air Albania”. Të kuqtë kanë mposhtur minimalisht me rezultatin 1-0 Skënderbeun në gjysmëfinale. Kryeqytetasit e nisën me më tepër këmbëngulje sfidën, por nuk arritën të gjenin dot golin në pjesën e parë të takimit.
Atë që nuk e arritën dot në fraksionin e parë të lojës, e bënë në minutat e para të pjesës së dytë. Rrapaj shmangu me lehtësi tre lojtarë kundërshtarë në minutën e 48 të takimit dhe më pas shërbeu për Bintsukanë. Ky i fundit e dërgoi topin me kokë në rrjetë dhe vulosi fitoren e Partizanit. Të kuqtë janë tashmë vetëm një ndeshje larg fitimit për të dytin vit radhazi të titullit kampion. Pas përfundimit të ndeshjes, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Gvozdenoviç (Skënderbeu): “Ky vit ishte shumë i suksesshëm për ne. Ndoshta ky ishte maksimumi ynë. Besonim se mund të shkonim në finale, por Partizani e meritoi fitore. E përgëzoj Partizanin. Mund të bënim më mirë. Partizani ishte skuadra më e mirë që në fillim. Nga fundi ishim skuadër sulmuesi dhe po i provonim të gjitha. Sot nuk ishim në ekuilibër, nuk ishim agresivë. Nuk ishim shumë të shpejtë në tranzicion. Kjo është arsyeja përse fitoi Partizani. Kishim besim se do të shkonim në finale, por këto 2-3 gjëra nuk shkuan mirë. Kundërshtari i Partizanit në finale? Shumë e vështirë ta them. Edhe Vllaznia, edhe Egnatia janë shumë të fortë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/