Tirana ka zyrtarizuar pak më parë marrëveshjen me Agim Ibraimin. Ish-sulmuesi i njohur do të jetë drejtori i ri sporiv i klubit më të titulluar në Shqipëri. Përmes një videoje të shpërndarë në llogarinë zyrtare në “Instagram”, bardheblutë kanë njoftuar se i kanë besuar Ibraimit një marrëveshje afatgjatë, e cila do të nisë këtë verë, me ndërtimin e grupit që do të synojë të shkojë sa më larg në kualifikueset e Ligës së Konferencës.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton se Agim Ibraimi është emëruar drejtor sportiv i klubit bardh’ e blu! Drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshjen me Ibraimin duke nënshkruar kontratën e bashkëpunimit mes palëve për një projekt afatgjatë. Eksperienca e jashtëzakonshme si futbollist në Slloveni, Itali, Shqipëri e më gjerë, ka bërë që klubi ta zgjedhë Ibraimin për t’i besuar këtë rol të rëndësishëm. Ibraimi do të nisë menjëherë nga puna për formimin e Tironës Europiane dhe skuadrës së sezonit të ri.
Si futbollist, Agim Ibraimi ka lënë gjurmë me Mariborin në Slloveni, teksa ka luajtur me Kaljarin në Serinë A, Astanën në Kazakistan dhe njëkohësisht numëron 40 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, ku edhe i është dhënë çmimi i nderit si Ambasador i Sportit. Të bindur se ky do të jetë hapi i parë i sigurtë drejt projektimit të një skuadre solide. Tirana i uron mirëseardhje dhe njëkohësisht suksese drejtorit në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu”, ka njoftuar klubi Tirana./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
View this post on Instagram