Rapahel Dwamena ndërroi jetë pas përballjes mes Egnatias dhe Partizanit, teksa gjatë ndeshjes futbollisti ra pa ndjenja në tokë dhe më pas u transportua drejt spitalit, atje ku u mbyll para kohe ëndrra e madhe e sulmuesit ganez. Emisioni “Koha Shtesë” i “Sport Ekspres”, këtë herë ka dalë nga tema e Kombëtares dhe ka folur për rastin Dwamena me një gazetar të njohur në Ganë, vendlindjen e Dwamenas, Nuhu Adams. (Videon e plotë të intervistës e gjeni më poshtë)
Gazetari tregon se pasi ka luajtur me disa ekipe në Europë, më pas skuadrat në katër shtete të ndryshme vendosën që ta largonin Dwamenan për shkakun e problemit të tij. “Në vitin 2017 Dwamena ishte gati që të shkonte te Brighton në Premier League, por problemet me zemrën nuk e lanë. Megjithatë ai vazhdoi të luante, pavarësisht se kishte probleme të tilla. Më pas shkoi te Levante, ku doktori i testeve mjekësore e këshilloi që të linte përfundimisht futbollin. Dwamena ishte një person që donte të luante me çdo kusht. Kështu vendosi që të mos dorëhiqet nga futbolli dhe vazhdojë të luajë. Pas Spanjës, u largua në klube të tjera, në Austria 2. Luajti disa ndeshje aty dhe më pas shkoi në Danimarkë, ku e larguan edhe aty për shkak të problemeve të zemrës. Fakti që luajti në Shqipëri e bëri Dwamenan që të ndihej shumë i lumtur. Edhe nga Kombëtarja e Ganës iku për këtë arsye”, tha Adams Nuhu. /Sport Ekspres/