Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e nesërme në finalen e parë të Europianit të Gjermanisë, atë kundër Italisë. Silvinjo ka bërë gati gjithçka, ka studiuar çdo gjë me detaje. Madje, u mësua se trajneri i Kombëtares, kishte studiuar çdo lojtar me detaje të tre Kombëtareve, edhe të atyre që nuk përdoren shpesh në formacion ose që do ta shijojnë këtë Europian nga stoli me shumë mundësi.
Në dy miqësoret e fundit, Silvinjo zgjodhi që të mos lexohej nga trajnerët kundërshtarë, duke përdorur pak ose aspak nga skema dhe idetë e tij të lojës për mënyrën sesi do të përballet me Italinë, në ndeshjen e parë, për të kaluar më pas te Kroacia dhe Spanja. Por sipas të gjitha gjasave, Silvinjo po ruan një surprizë të madhe që mund të jetë një ndryshim skeme dhe moduli loje, së bashku me lojtarët.
Kur flasim për Kombëtaren tonë, të gjithë kanë të njëjtin formacion në mendje, atë të përdorur në kualifikueset e Europianit dhe që të gjithë e dimë përmendësh. Por ka shumë mundësi që ndaj Italisë, Shqipëria të zbres në fushë me një 4-3-3 të pastër.
Pra, në portë të jetë Etrit Berisha që fiton balotazhin me Strakoshën për shkak të eksperiencës. Ndërkohë në mbrojtje do të jenë Mitaj-Gjimshiti-Ismajli dhe Hysaj. Përtej dyshimeve mes Ajetit dhe Ismajlit, Silvinjo e ka duartrokitur gjithmonë mbrojtjen tonë që në kualifikuese ishte një nga më të mirat e Europës dhe për këtë arsye, ka pak mundësi që Ismajli të ulet në stol, pavarësisht gjithë sigurisë së madhe që ofron Ajeti në prapavijë.
Ndërkohë surpriza e madhe do të vijë në mesfushë. Ramadanit dhe Asllani do t’i bashkohet një lojtar mes Qazim Lacit dhe Amir Abrashit. Mbetet të shihet se kush do të jetë zgjedhja përfundimtare e Silvinjos, që do të sakrifikojë Bajramin nga roli i tij natyral i përdorur deri tani, si një fantazist.
Megjithatë Bajrami nuk mund të hiqet nga fusha, kurrsesi. Duke parë gjithë rëndësinë e këtij lojtari te Kombëtarja, Bajrami mund të zërë vendin e Taulant Seferit në krahun e majtë të sulmit, siç u përdor edhe në ndeshjen ndaj Suedisë. Nga krahu i djathtë, Jasir Asani është thjeshtë i pakonkurrueshëm. Ndërkohë në majën e sulmit, Armando Broja pritet që ta fillojë titullar dhe zëvendësuesi i tij do të jetë Mirlind Daku. /Sport Ekspres/