Më poshtë gjeni notat dhe vlerësimet e bëra nga Koha Shtesë dhe Sport Ekspres për ndeshjen Shqipëri-Kroaci për disa prej lojtarëve
Strakosha 8: Më i mirë i kësaj Shqipërie deri tani në Europianin e Gjermanisë. Nëse ëndërrojmë ende për një kalim më tej, është falë pritjeve të Strakoshës në ndeshjen kundër Italisë dhe Kroacisë. Na mban në lojë në momentin kur gjithçka u djallos, heq një gol të sigurt. Në përmirësim nga Italia, bën edhe daljet që munguan ndaj Italisë në krosime, për të dhënë gjithë qetësinë e duhur”.
Ajeti 7: “Nëse ndaj Italisë u kthye në një “ministër kulture”, këtë herë ishte brilant, u rikthye si ministër i mbrojtjes së Shqipërisë. Nuk pati asnjë respekt për sulmuesit kundërshtar, i ndali në të gjitha mënyrat dhe në një rast, i hoqi një rast të sigurt goli. Siguri dhe eksperiencë”.
Gjimshiti 7.5: “Me fat që kemi, i pagabueshëm, bën gjithcka në perfeksion. Heq dhe një gol të pastër me Kroacinë në rastin e golit të dytë të tyre, por për fatin e keq, ishte e shkruar ndryshe, Gjasula në inertsi e sipër e dërgoi topin në rrjetë”.
Mitaj (8): “Super Mario u rikthye si në kualifikuese. Ndeshja me Italinë i duhej sa për të kuptuar fushën dhe terrenin me të cilin kishte të bënte, nuk kishte luajtur me herët në Europian. Ndaj Kroacisë tregoi se mund të ishte një shok shumë i mirë ekipi me Modric apo Kovacic, në presionin e madh fillonte me driblime dhe nuk e humbte kurrë topin dhe një gol i shënuar thuajse, teksa ia hoqi pastër kroatëve”.
Hysaj 6: “Ndonjëherë është edhe fati kundër teje. Një ndeshje e nivelit më të lartë, ndoshta më e mira e Hysajt me Kombëtare deri në momentin që Kroacia gjen golin e parë. Topi kalon mes këmbëve të një lojtari dhe pastaj përfundon në rrjetë. Në rast tjetër nuk do të fajësohej askush derisa kamera fokusoi lojtarin se kush ishte, Hysaj. Një shok për shkodranin që gabon rëndë edhe në golin e dytë”
Qazim Laci (8): “Mes lojtarëve të ekipeve si Inter, Sasuolo, Chelsea, Lacio, Qazim Laci nuk është një emër ekzotik. Por ndaj Kroacisë ishte në perfeksion, brilant, asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë. Kur të gjithë lojtarëve të tjerë porta iu duk aq e vogël edhe pse kishin raste më të mira, Qazim Laçi dha leksione sesi topi dërgohet në rrjetë. Bateritë nuk i ranë kurrë, madje kur doli nga fusha, mesfusha jonë u çorodit”.
Nedim Bajrami (7): “Tjetër ndeshje e nivelit të lartë për Bajramin. Ka shumë klas në këmbët e tij, një potencial të madh dhe është i bekuar nga Zoti me shumë talent. Ndryshe nga të tjerët, koka e Bajramit është gjithmonë e qetë, di sesi të ruaj ftohtësinë për të dribluar kundërshtarin, pavarësisht se këtë herë këmba nuk iu përgjigj për ta dërguar topin sërish në rrjetë”.
Jasir Asani (7.5): “Shumë e kritikojnë, e shajnë, por çfarë do të ishim pa Jasir Asanin? Na ka bërë kaq shumë të varur prej tij sa në momentin kur Asani nuk luan, Shqipëria nuk luan. Sigurisht, të gjithë duan një Jasir Asani të ndezur në çdo ndeshje, por nëse do të ishte kështu, ky lojtar do të ishte pjesë e Bayern Munchen dhe do të quhej “Robbeni” i ri. Një krosim i katapultuar për Lacin aq sa nuk u kuptua nëse ishte goli i Asanit apo i Lacit. Lojtar brilant, me fat që e kemi në Kombëtare dhe nuk e mori Maqedonia e Veriut. Flisni tani për Jasir Asanin, mund të flisni lirisht, por kur të gjeni një të dytë si ai…”.
Manaj (6.5): “Ndeshje e mirë e Manajt, por jo e përsosur. Në 35 minutëshin e parë ishte brilant, më pas e lanë shumë bateritë. Fizikun e tij e përdor në të gjitha rastet ndaj kroatëve, por e tepron kur kupton se arbitri ishte shumë bujar me dhënien e faulleve. Fillon të stimulojë në disa raste, aq sa edhe arbitri nuk e beson më kur në të vërtet ndërhyn me faull ndaj Manajt. Një duel i humbur prej tij me pretendimin për të marrë faull, do të sillte golin e dytë të Kroacisë. Por përtej gjërave për t’u përmirësuar, Manaj është për t’u duartrokitur për ndeshjen e bërë sot”,
Arbër Hoxha (8): “A je normal? Nuk ka fjalë për këtë lojtar, i turpëroi lojtarët e Kroacisë me driblimet e tij. Ishin 4 raste kur shpërtheu në krahë duke marrë zvarrë këdo. Mjafton që topi t’i lihej Arbër Hoxhës dhe për gjithë pjesën tjetër kujdesej vetëm ky njeri. Kështu erdhi goli i barazimit dhe sa keq që nuk shkoi gol topi i goditur prej tij. Kur Munishi e tha për disa muajsh në Koha Shtesë, të gjithë qeshën. Lojtari më i mirë i krahut driblues në gjithë historinë e Shqipërisë. Sot keni parë vetëm një sekuencë”.
Silvinjo (6.5): “Një ndeshje e përgatitur në perfeksion nga ana e Silvinjos, deri në moment kur përballja iku nga duart. Në fakt, nuk po mëson vetëm Shqipëria dhe nuk merr eksperiencë vetëm Kombëtarja në ndeshje të këtij niveli, por edhe vetë Silvinjo. Sot fituam një pikë, por “humbëm” 2 të tjera nga Silvinjo. Trajneri mendoi që të mbrohej dhe të mbronte rezultatin, por kishte aq shumë lojë dhe kroatët e shtuan aq shumë presionin në portën tonë, aq sa goli i barazimit për ta ishte vetëm çështje kohe. Pritej, e kishim parë këtë panoramë ndaj Italisë. Silvinjo gaboi duke aktivizuar Taulant Seferin, në një kohë që Arbër Hoxha do të kishte mbyllur ndeshjen. Nëse Arbër Hoxha filloi të driblonte gjithë Kroacinë e mbyllur mbrapa në prapavijë, e imagjinoni dot se çfarë do të kishte bërë ky lojtar nëse do futej në fushë në vend të Seferit në minutën e 64? Por sigurisht që është shumë e lehtë të flasësh pas një ndeshje dhe duhet të duartrokasim njeriun që na solli deri këtu dhe i gjeti këta lojtarë. Kryesorja për t’u kuptuar, nuk po mëson vetëm Shqipëria, por edhe Silvinjo, është bukur kur rritemi bashkë, frytet do t’i marrim më vonë, jemi në rrugë të mirë”.