Djemtë e Kombëtares janë gati për dy sfidat e fundit kualifikuese ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për Kampionatin Europian ‘Gjermani 2024’. Grumbullimi ka nisur dhe atmosfera brenda grupit është shumë pozitive. Synimi i vetëm është arritja e objektivit madhor, finalet e Europianit “Gjermani 2024“. Arbnor Muja dhe Klaus Gjasula në një prononcim të dhënë për fshf.org tregojnë se janë gati për aktin final. Sulmuesi kuqezi Arbnor Muja vlerësoi ekipin e Moldavisë, dhe bëri thirrje për mbështetje nga tifozët kuqezi për të siguruar kualifikimin dhe për ta kthyer në festë ndeshjen e fundit me Ishujt Faroe në “Air Albania“.
“Si çdo herë jemi përgatitur dhe jemi shumë të fokusuar. Kjo është finalja jonë. Në këto kualifikuese jemi përgatitur mirë, ta shohim se si do të vazhdojë ecuria edhe në këto ndeshje. Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë dhe të dalim më shumë apo më pak nga vetja, nëse vazhdojmë me këtë ecuri që kemi pasur nuk besoj se do të hasim probleme. Futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe mendoj që ekipi që kemi, grupi që kemi ka shumë cilësi dhe zemër dhe besoj se do të dalim me fitore. Fuqia jonë janë tifozat kuqezi, tifozat e kombëtares, jemi shumë krenar për ta dhe shpresoj që t’i gëzojmë në dy ndeshjet e fundit, së pari me Moldavinë dhe pastaj ta bëjmë festën e madhe në Tiranë “ – përfundoi Arbnor Muja.