Silvinjo ka befasuar jo pak në Gjermani me formacionin e hedhur në fushë dhe vendimet e tij. Një nga surprizat e tij ishte hedhja e Ajetit në fushën e lojës dhe lënia në stol e Ardian Ismajlit, që kishte luajtur të gjitha ndeshjet e kualifikuese dhe për më tepër, Shqipëria ishte një nga mbrojtjet më të mira të Europës me më pak gola të pësuara. Kaq mjaftoi dhe në mediat sportive në Shqipëri u aludua për një përplasje mes Ismajlit dhe Silvinjos që kishte ndodhur në Gjermani. Megjithatë, “Sport Ekspres”, zbulon se në këtë ngjarje nuk ka asnjë të vërtetë.
Nuk ka ndodhur kurrë një përplasje mes Ismajlit dhe Silvinjos. Ishte vetë mbrojtësi kuqezi që sqaroi këtë rast në një prononcim të shkurtër për median tonë. “Jo, nuk ka asnjë të vërtetë. Unë në fakt e vlerësoj shumë Silvinjon. Jam lojtar profesionist dhe jam gati kur të kërkoj trajneri. I respektoj vendimet e tij, hedh në fushë ata lojtarë që i mendon për skemat që ka në mendje. Por nuk ka asnjë të vërtetë, unë nuk jam përplasur kurrë me trajnerin”, tha Ismajli. Një lojtar profesionist që luan në nivelet më të larta në Serinë A, tregon edhe njëherë se është në lartësinë e duhur edhe në sjellje, jo vetëm në fushë. /Sport Ekspres/