Merih Demiral është njeriu dhe lojtari i momentit në Turqi. Të gjithë po flasin për mbrojtësin 26-vjeçar që tashmë ka nisur eksperiencën në “tokën e premtuar” të Arabisë Saudite, teksa është pjesë e Al Ahli. Por ndryshe nga të gjithë të tjerët që janë venitur kur kanë mbërritur në këtë kampionat, sa i përket performancave të tyre me Kombëtaren në EURO24, me Demiral ka ndodhur e kundërta.
Në ndeshjen kundër Austrisë, Demiral është kthyer në një sulmues të vërtetë. Dy gola janë shënuar nga ky futbollist, që i dha fitoren Turqisë në shifrat 1-2 dhe e dërgoi Kombëtaren e tij në fazën çerekfinale të Europianit. Një arritje e madhe për këtë lojtar, teksa Austria konsiderohej si surpriza më e bukur në Gjermani.
Por mesfushori turk tërhoqi vëmendjen teksa pas golave ka bërë simbolin e grupit që konsiderohet si ekstremist në Austri, “Ujqërit gri”. Kjo simbolizon një lëvizje për bashkimin e të gjithë popujve turq në një shtet dhe sipas kësaj idelologjia, raca turke është më superiore se të gjitha të tjerat. Demiral e dinte mirë se çfarë bëri dhe e publikoi foton edhe në rrjetet sociale, ndërsa UEFA pritet ta dënojë siç bëri me Mirlind Dakun.
Gjithashtu vëmendje të madhe tërhoqi në tribunë edhe gruaja e Demiral, bukuroshja shqiptare, Heidi Lushtaku. Gruaja shqiptare e Demiral gjendej në stadium së bashku me fëmijën e tyre dhe kanë festuar për golat e lojtarit të Turqisë. Heidi ka lindur në Kosovë në vitin 1990, një modele e njohur që është rritur në Zvicër. Lidhja me Demiral nisi kur ky i fundit ishte pjesë e Atalantës, ata u martuan në 2021 dhe vetëm një vit më vonë sollën në jetë djalin e tyre, Kais Omer. Në vitin 2023 familja u shtua me një tjetër djalë, ndërsa Heidi është vlerësuar shumë edhe nga media turke për bukurinë dhe fizikun e saj. /Sport Ekspres/