Është hedhur këtë të enjte në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës shorti i fazës para-eliminator të Futsal Champions League 2024/25, ku do të marrë pjesë edhe kampionia në fuqi e Shqipërisë, Tirana Futsal.
Në këtë fazë do të marrin pjesë 32 skuadra europiane të ndara në 8 grupe me katër ekipe secila. Tirana Futsal është shortuar në Grupin C së bashku me Akaa Futsal (Finlandë), TSV Weilimdorf (Gjermani) dhe Ísbjörninn (Islandë).
Ndeshjet e turit para-eliminator do të luhen në datat 20-25 gusht dhe në turin tjetër kualifikohen 8 ekip, e më konkretisht 8 skuadrat e renditura në vendet e para. Ndërkaq, kalendari me ndeshjet dhe datat e sakta do të përcaktohen në ditët në vazhdim nga UEFA.
Duke parë traditën e mirë dhe eksperiencën e madhe me turnetë ndërkombëtare, UEFA ka vendosur t’ia besojë sërish Federatës Shqiptare të Futbollit pritjen dhe organizimin e ndeshjeve të Grupit C, ku bën pjesë edhe Tirana Futsal.
Ky është i katërti edicioni radhazi që FSHF mirëpret ndeshjet e grupit para-eliminator të Futsal Champions League ku merr pjesë edhe kampionia e Shqipërisë.
Një tjetër event i rëndësishëm që i besohet FSHF-së nga qeveria e futbollit europian, ndërkohë që kujtojmë se FSHF ka organizuar edhe finalen e parë historike të UEFA Conference League në Shqipëri në maj të vitit 2022, shumë turne zhvillimorë e mini-turne kualifikues për Kampionatet Europianë të moshave U-17 dhe U-19, si edhe disa mbledhje të rëndësishme të UEFA-s që janë zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”. Ndërsa në vitin 2025 FSHF në bashkëpunim me UEFA-n do të organizojnë edhe një tjetër event madhor në vendin tonë, finalet e Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.