Ky vit futbollistik i përkiste së tepërmi edhe shqiptarëve, duket se në vitet e fundit, po fryn një erë e mirë për shqiptarë në këtë pjesë të sportit. Berat Gjimshiti, kapiteni ynë, ka fituar titullin e Europa League me shirit kapiteni. Gjithashtu Shqipëria shkoi për herën e dytë në Europian, ndërsa lojtarët e Kombëtares po afrohen gjithmonë e më tepër me ekipet e mëdha dhe kampionatet kryesore në Europë.
Nga ana tjetër, një lojtar me origjinë shqiptare si Granit Xhaka, ka shkuar në atë pikë të karrierës sa mund të përfundojë kandidat për të fituar Topin e Artë. Vërtet ironike situata dhe fati, teksa në momentin kur u mësua lajmi se Xhaka do të largohej nga Arsenali dhe do t’i bashkohej Leverkusen, shumë njerëz menduan se Graniti “vulosi” mbylljen e karrierës. Por në fakt, ishte vetëm fillimi i kulmit të tij.
The Guardian ka shkruar se nëse Zvicra do të fitojë Europianin e Gjermanisë, Granit Xhaka do të jetë një kandidatë serioz për të fituar Topin e Artë. Në fakt, nëse e kalon një tur edhe kundër Anglisë, është e sigurt se Graniti do të jetë në listën e parë mes 30 kandidaturave më të mira për çmimin personal më prestigjioz në botë.
Mesfushori 31-vjeçar ka fituar dy tituj me Leverkusenin, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Sigurisht që arritja kryesore është ajo e ndaljes së dominimit të Bayern Munchen, teksa pas diktatit që bën bavarezët, Leverkuseni bëri çmendurinë duke i hequr titullin nga duart. Sigurisht që meritat apo vëmendja shkon zakonisht te golashënuesit, Ëirtz apo Schick, por në fakt, pika kyçe e Xabi Alonso ishte Granit Xhaka.
Ky i fundit arriti dhe në finalen e Europa League, atje ku humbi ndaj Atalantës, por sigurisht që ky kompeticion nuk merr vlerë të madhe kur bëhet fjalë për Topin e Artë krahasimisht me Champions League. Për të mos folur për vitin e artë të Real Madrid, ku vetëm nga kjo skuadër, janë të paktën 5 lojtarë potencialisht për të qenë mes më të mirëve në Europë dhe për të kandiduar për Topin e Artë.
Por edhe sipas analizës që bën “The Guardian”, nëse Zvicra do të fitojë Europianin, atëherë historia do të ndryshojë e gjitha në favor të Xhakës. Nëse do të kurorëzohej ky sukses i madh, me siguri që emri i lojtarit shqiptar do të renditjes mes 5 kandidaturave më serioze për të fituar çmimin e madh.
Për momentin, në EURO24. Graniti lë mbrapa Rodrin dhe Bellingham sa i përket prekjes së topit dhe rëndësisë që ka në ekip. “Duket se Granit Xhaka e ka gjetur sekretin e koduar të futbollit”, thotë nga ana tjetër “Daily Mail”. Dhe 3 pengesa të fundit për të shkuar drejt arritjes më të madhe në karrierës, Graniti nuk luan ndaj Zvicrës vetëm për suksesin e skuadrës, por edhe për suksesin e tij personal. /Sport Ekspres/