Simon Simoni ka bërë një hap më tej në karrierën e tij. Portieri i Frankfurtit, që ishte pjesë e moshave të kësaj skuadre, ka kaluar te Ingolshtad. Kjo skuadër luan në ligën e tretë të Gjermanisë, ndërsa do t’i jap mundësinë Simonit për t’u rritur dhe për të qenë pjesë e futbollit burrëror dhe jo të ekipeve të moshave. Ky portier konsiderohet e ardhmja e Shqipërisë, ndërsa Silvinjo zgjodhi ta merrte në Gjermani, pavarësisht se nuk ishte në listën e ekipit të 26 lojtarëve.
“Për mua, kalimi te FC Ingolstadt 04 është sinonim i një mundësie të madhe për të hedhur hapin tjetër në karrierën time të re në një klub ambicioz gjerman. Pas diskutimeve shumë të mira me menaxhmentin sportiv të Schanzer, tani mezi pres të njoh shokët e mi të rinj të skuadrës dhe të gjithë mjedisin ku do luaj, në mënyrë që të shfaqemi mirë së bashku në fushë”,-deklaroi Simon Simoni, pas kalimit te skuadra që militon në ligën e tretë të futbollit gjerman. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/