Taulant Seferi i është rikthyer përvojës së Kampionatit Europian, të cilën e përjetoi për të parën herë në jetë. Në një intervistë për “TV21”, futbollisti i Kombëtares shqiptare ka thënë se nuk mund t’i përshkruajë dot me fjalë emocionet e ndjera në Gjermani. Më tej Seferi thekson se tashmë Shqipëria e ka shndërruar veten në një Kombëtare që e respektojnë të gjithë kundërshtarët.
“Emocione të papërshkrueshme. Besoj që Gjermania ka qenë një Shqipëri e dytë. Gjithë shteti ka qenë me shqiptarë gjithandej. Qytetet kanë qenë plot. Kur kemi zbritur në fushë në ndeshjen e parë, kur kemi parë stadiumin ka qenë diçka fantastike. Falenderoj Zotin që na dha mundësinë të luanim një një kompeticion kaq të lartë, sepse është ëndërr e çdo futbollisti. Ëndrra ime u bë realitet dhe jam shumë i lumtur për këtë gjë.
Ne besoj se kemi bërë një Europian fantastik, si brenda fushe, ashtu edhe jashtë fushe. Kemi treguar se Shqipëria nuk është më ajo e përparshmja, por një skuadër që mund të përballet edhe me Kampionët e Europës, edhe me Kampionët e Botës. Tanimë është gjithçka ndryshe. Tanimë është një Shqipëri që e respekton çdo kundërshtar tjetër”, ka thënë Taulant Seferi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/