Klaus Gjasula, së bashku me vëllain e tij, ishin të ftuar në studion e emisionit “Kampionët” në “TV Klan”. Mesfushori shqiptar e ka nisur në një moshë të vonë karrierën e tij në Kombëtare, teksa ftesa e parë për të mbërriti kur ai ishte 29 vjeç. Gjasula ka treguar gjatë emisionit edhe mënyrën se si u bë pjesë e kuqezinjve dhe një meritë të madhe për këtë i takon Igli Tares.
“Në moshën 29-vjeçare kam luajtur për herë të parë në Bundesligë. Kisha arritur nivelin që duhet për të luajtur për Kombëtaren dhe pastaj erdhi ftesa. Përpara se të niste kampionati, ne kishim një miqësore kundër Lacios dhe aty ishte Igli Tare. Ai ishte duke parë ndeshjen, sepse ishte drejtori sportiv i Lacios. Unë bëra një ndeshje shumë të mirë.
Pas ndeshjes, shkova ta takoja. Nuk e njihja, por shkova ta përshëndesja për respekt. Ai më ngatërroi, kujtoi se isha Jurgeni (vëllai). E kuptva që po ngarronte dhe i thashë: “Më duket se po më ngatërron. Nuk jam Jurgeni, por Klausi”. Më tha: ‘Nuk e dija fare që Jurgeni kishte një vëlla’. Më pyeti: ‘A do të shkosh te Kombëtarja, sepse kam shumë kontakt me Rejën dhe po kërkon një mesfushor si ty’. Unë i thashë: ‘Normale që dua’. Kështu nisën tratativat”, ka thënë Klaus Gjasula./Halit Delibashi-Sport Ekspres/